Vazhdon rigjykimi në rastin e vrasjes në lokalin Bon Vivant

0
177

Departamenti për Krime të Rënda sot ka vazhduar procesi i rigjykimit ndaj Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, të akuzuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve’, raporton Drejtësia Sot.

Në seancën e sotme prokurori i çështjes Armend Hamiti u deklarua në lidhje me propozimet e mbrojtësit të të pandehurit Masar Gërdovci, avokatit Naim Rudari, të bëra në seancën e kaluar.

Prokurori Hamiti deklaroi se 22 dëshmitarët e legjitimuar nga Policia janë persona që kanë qenë në vend të ngjarjes mirëpo në polici kanë deklaruar se nuk kanë parë asgje në lidhje me rastin andaj edhe nuk janë dëgjuar nga Prokuroria. Mirëpo nese mbrojtja ka ndonjë emër konkret që mundet të ndihmojë në ndricimin e rastit, atëhere mund ti propozojë si dëshmitarë.

Poashtu prokurori nuk e kundërshtoi propozimin për dalje në vend të ngjarjes nese mbrojtja ka dijeni për vendndodhjen e predhave të armës. Ndërkaq kundërshtoi propozimin sa i përket dëgjimit të sërishëm të dëshmitarëve dhe ekspertizës të bërë nga vet pala mbrojtëse në Shqipëri.

Propozimet e paraqitura nga avokati Naim Rudari, u kundërshtuan në tërësi edhe nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Armend Krasniqi dhe mbrojtësi i të pandehurit Sherif Krasniqi, avokati Haxhi Millaku.

Gjyqtarja e cështjes Suzana Cerkini, mori aktvendim me anë të së cilit refuzoi propozimet e avokatit mbrojtës Naim Rudari, duke arsyetuar secilin vec e vec ngase të njejtat janë dhënë me qëllim të zvarritjes së procedurës që vie në kundërshtim me parimin e ekonomizimit.

Tutje në seancë të pandehurit Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, vendosën të mbrohen në heshtje nderkaq fjala përfundimtare e palëve do të jepet me datë 28 korrik duke filluar nga ora 13:30.

Gjykata Themelore në Prishtinë, të pandehurit Masar Gërdovci, i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës, respektivisht revolja e mbajtur në mënyrë të pautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Sherif Krasniqi, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim. Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza./DrejtesiaSot