Pandemia ka thelluar pabarazitë ekzistuese për fëmijët në Kosovë

0
183

Sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Institucioni i Avokatit të Popullit tërheq vëmendjen e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës lidhur me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.
Kjo ditë, na ofron secilit prej nesh një mundësi reflektimi lidhur me gjendjen dhe veprimet tona për të mbrojtur, promovuar dhe festuar të drejtat e fëmijëve. Të drejtat e fëmijëve përbëjnë një pjesë integrale të të drejtave të njeriut. Zhvillimi i shëndetshëm i fëmijëve është thelbësor për mirëqenien e ardhshme të çdo shoqërie. Andaj, është e rëndësishme që fëmijët të kanë në dispozicion të gjitha mjetet e mundshme jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të arritur potencialin e tyre maksimal. Pavarësisht kësaj, edhe ky qershor, i gjen fëmijët në vështirësi për gëzimin e plotë të të drejtave të tyre gati në të gjitha fushat e jetës.

Gjendja e krijuar nga pandemia globale e COVID-19 ka nxjerr në pah edhe më shumë mangësitë për realizimin e këtyre të drejtave si dhe ka thelluar pabarazitë ekzistuese. Efektet socio-ekonomike të virusit dhe masat e ndërmarra për të kontrolluar pandeminë kanë ndikuar në mbijetesën dhe shëndetin e fëmijëve, sigurinë, të mësuarit si dhe potencialisht rrezikun nga varfëria. Këto efekte në ndërveprim me faktorë të tjerë siç janë gjinia, etniciteti, aftësia e kufizuar dhe gjendja ekonomike kanë pasur ndikim të ndryshëm tek fëmijët. Një shembull ishte kalimi nga mësimi në shkolla në mësimin online, ku u pa se shumë fëmijë nuk kishin qasje në paisje teknologjike dhe internet, veçanërisht fëmijët romë, ashkali, e egjiptas dhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuara, kjo qasje ishte më e vështirë duke qenë se nuk kishte planprograme të përshtatshme për nevojat e tyre.

Në përgjithësi, gjatë kësaj kohe janë vërejtur vështirësi në qasjen e fëmijëve në arsim, shërbimet sociale dhe shëndetësore si dhe është rritur dhuna në familje, rrjedhimisht edhe dhuna ndaj fëmijëve. Një jetë e lirë nga dhuna përpos që është e drejtë themelore, është dhe parakusht i domosdoshëm për mirëqenien dhe shëndetin fizik dhe mendor të fëmijës. Mëtutje, kufizimet e jetesës rutinore si dhe stresi psikosocial i shkaktuar nga mbyllja në shtëpi ose izolimi kanë ndikuar në shëndetin mendor të fëmijëve. Kjo pandemi ka theksuar më shumë se kurrë rëndësinë e programeve të shëndetit mendor dhe qasjen e të gjithë fëmijëve në shërbime psiko-sociale. Natyrisht, të rriturit në realizimin e detyrimeve dhe përgjegjësive karshi fëmijëve duhet të përfshijnë zërin dhe pikëpamjen e fëmijës në pajtim me zhvillim gradual të aftësive të tij/ saj.

Krahas obligimeve Kushtetuese dhe Konventës për të drejtat e fëmijës, Institucioni i Avokatit të Popullit tërheq vëmendjen e të gjithë akterëve dhe institucioneve përgjegjëse për fillimin e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e fëmijës nga data 17 korrik 2020 si dhe kërkon angazhim maksimal për mbrojtjen dhe garantimin e interesit më të mirë për fëmijët në Republikën e Kosovës.

Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor të çdo viti nga shumë vende të botës dhe u shpall ditë ndërkombëtare e fëmijëve në konferencën botërore për mirëqenien e fëmijëve më 1925, në Gjenevë të Zvicrës. Atë ditë, 54 shtete pjesëmarrëse miratuan Deklaratën e Gjenevës për Mbrojtjen e Fëmijëve.