Dardanët nuk arritën t’u rezistojnë gjermanëve në 5 minutat e fundit

0
149

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë në kuadër të Grupit F në fazën e parë kualifikuese për Euro 2022, që po zhvillohet në Gjeorgji.

Pas fitores kundër Austrisë, Dardanët janë mundur nga Gjermania, me rezultat 8:4. Djelmoshat e Ramadan Cimilit e nisën mirë ndeshjen dhe qysh në minutën e parë e gjetën golin nëpërmjet Drilon Maxharrajt. Mirëpo, gjermanët u kundërpërgjigjën me golat e Onur Saglam, në minutën e 9-të dhe Michael Meyer, në minutën e 14-të, duke shkuar në pushim me epërsi të një goli.

Edhe pjesën e dytë Dardanët e nisën shumë mirë, kur fillimisht shifrat i barazoi Malush Qerimi, në minutën e 23-të, derisa dy minuta më vonë Drilon Maxharraj shënoi për ta rikthyer epërsinë e Kosovës, 3:2. Edhe në vazhdim loja ishte shumë e fortë dhe me kthesa në rezultat. Gjermanët i barazuan shifrat në minutën e 29-të, me golin e realizuar nga Muhammet Sozer, por vetëm një minutë më vonë Melos Kelmendi e riktheu sërish epërsinë e Dardanëve (4:3).

Megjithatë, pesë minutat e fundit ishin fatal për ekipin tonë, kur gjermanët të cilët njihen si rivalë që nuk dorëzohen deri në fund, arritën të përmbysin gjithçka me golat e realizuar nga Jonas Hoffmann (35′), Michael Meyer (36′ 39′) dhe Christopher Wittig (38′).

Ndeshjen e fundit Kosova do ta zhvillojë kundër Gjeorgjisë, kombëtare e cila dje shënoi fitore kundër gjermanëve, 3:1.