Ronaldo e humb gjyqin me gazetën gjermane që publikoi dokumentet e “Football Leaks”

0
520
FILE PHOTO: Soccer Football - Serie A - Juventus v Lazio - Allianz Stadium, Turin, Italy - August 25, 2018 Juventus' Cristiano Ronaldo during the match REUTERS/Massimo Pinca/File Photo

Gazeta gjermane, Der Spiegel, ka bërë të ditur se e ka fituar procesin gjyqësor kundër Cristiano Ronaldos, pasi ky i fundit e kishte paditur gazetën për publikimin e disa dokumenteve që kishin të bëjnë me taksat e portugezit.

Hakerët e “Football Leaks” i kishte siguruar një numër të madh të dokumenteve që e tronditen botën e futbollit. 60 gazetarë të Der Spiegel i kishin hetuar ato dokumente dhe në fund i kishin publikuar akuzat ndaj Cristiano Ronaldos për evazion fiskal.

Avokatët e Ronaldos e dërguan gazetën gjermane në gjykatë. Fillimisht, gjykata kishte vendosur që ta detyrojë Der Spiegelin t’i fshijë të gjitha artikujt për këtë çështje. Nëse vendimi nuk do të respektohej, gazeta do të gjobitej me 250 mijë euro.

Gjatë procesit gjyqësor, avokatët e akuzuan gazetën gjermane që kishte përdorur dokumente të siguruara nga një mënyrë joligjore, pa e mohuar asnjëherë vërtetësinë e atyre dokumenteve.

Der Spiegel i largoi ato artikuj nga versioni digjital, mirëpo e apeloi vendimin. Tani, dy vjet më vonë, superylli portugez e humbi këtë proces gjyqësor pasi që gjykata vendosi që gazeta gjermane kishte të drejtë t’i publikojë ato dokumente.

Vitin e kaluar, Der Spiegel i publikoi edhe disa dokumente të tjera të “Football Leaks”, ku Kathryn Mayorga e akuzon Ronaldon për përdhunim.