Feronikeli fiton me vështirësi kundër Ballkanit

0
38

Feronikeli ka shënuar fitore para tifozëve të vet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, duke e mposhtur Ballkanin, me rezultat 1:0.

Deri te kjo fitore skuadra kryesuese ka arritur me vështirësi, pasi golin e fitores e ka realizuar vetëm në minutën e 90-të, kur mbrojtësi i Ballkanit, Dardan Jashari, shënoi në portën e tij në përpjekje për ta larguar topin nga zona e rrezikshme.

Feronikeli u shfaq  këmbëngulës që nga fillimi i ndeshjes, por hasi në rezistencë të fortë të mysafirëve.

Madje këta të fundit në disa raste u treguan edhe kërcënues për portën e Smakiqit nëpërmjet kundërsulmeve. Ballkani në minutën e 30-të shënoi gol nëpërmjet Jetmir Topallit, i cili devijoi një gjuajtje të Ajzerajt, por gjyqtari anësor sinjalizoi për pozitë jashtëloje.

Ndërkaq, rastin më të mirë për Feronikelin e pati Karioka, në minutën e 64-t, por gjuajtjen e tij me kokë e priti Bledar Hajdini.

Feronikeli tani ka përforcuar pozitën e parë në tabelë, me 59 pikë pas 25 xhirove të luajtura, kurse Ballkani ka mbetur në pozitën e tetë me 29 pikë, po aq sa ka edhe Flamurtari një vend më poshtë.