Indonezia kërkon organizimin e Lojërave Olimpike Verore 2032

0
50

Pas organizimit të suksesshëm të Lojërave Aziatike 2018 dhe Lojërave ParAziatike, Indonezia tashmë ka kërkuar zyrtarisht të organizojë Olimpiadën Verore të vitit 2032.

Në një letër dërguar presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, ka thënë se vendi nga Lindja e Largët është e gatshme të organizojë Lojërat Olimpike Verore që do të mbahen në vitin 2032.

Ambasada indoneziane në Bernë tha se letra në fjalë i ishte dorëzuar presidentit të KON-it, Thomas Bach më 11 shkurt .

Siç bëhet e ditur, ambasadori indonezian ka marrë një përgjigje pozitive nga kreu i KON-it.

“KON njeh aftësitë e Indonezisë të shfaqura gjatë organizimit të Lojërave Aziatike dhe Lojërave ParAziatike. Mendoj se kjo është një bazë e mirë dhe mjaft e fortë”, ka thënë drejtori ekzekutiv i KON-it, i cituar nga diplomati indonezian në Zvicër, përcjell Atsh.

Japonia, Franca dhe SHBA-të do të organizojnë Lojërat Olimpike në vitet 2020, 2024 dhe 2028, ndërkohë që procesi i përzgjedhjes së organizatorit të vitit 2032 do të fillojë jo më parë se viti 2024.