Ky vend po tenton të zhvillojë industrinë e çokollatave

0
40

Çdo vit në Ganë prodhohen rreth 900,000 tonë kakao, gjë që e bën këtë vend eksportuesin e dytë më të madh në botë, pas Bregut të Fildishtë. Deri pak kohë më parë, shumica e kakaos eksportohej nga Gana, por sot, fermerët lokalë po përpiqen të mos e nxjerrin më prodhimin e tyre jashtë vendit.

Shanset janë që nëse keni pirë ndonjëherë kakao, apo keni ngrënë çokollatë… ajo të ketë ardhur nga një prej mijëra fermave të vogla të Ganës. Nicholas Narëortey thotë se në vend që të eksportojnë kakaon, fermerët duhet t’i prodhojnë vetë çokollatat.

“Ne duhet t’ia shtojmë vlerën kakaos brenda vendit. Nëse rritet kërkesa për kakao, kjo vetëm na ndihmon. Do të ishte më mirë që të prodhonim çokollata brenda vendit, se sa të ekportonim kakaon,” – thotë një fermer.

Gana është eksportuesi i dytë në botë i kakaos, por shitja e frutit të punës së fermerëve jashtë vendit, nuk është aq fitimprurëse sa prodhimi dhe shitja prej tyre e çokollatave.

“Sektori ynë i karameleve e çokollatave fillimisht ishte shumë modest, duke përdorur vetëm 2 deri në 5 për qind të prodhimit. Por mendojmë se rritja e këtij aktiviteti është rruga që duhet ndjekur” – thotë Francis Kangah, i firmës Niche Cocoa.

Firma “Niche” është eksportuesi kryesor i çokollatave në Ganë, ajo shpërndan rreth 60 tonë kakao gjysëm të përpunuar në vit. Në vitin 2017 kjo kompani filloi të prodhonte çokollata. Tani ajo prodhon 200 tonë produkte çokollate në vit dhe kjo shifër është në rritje, pjesërisht falë ndihmës së qeverisë.

“Për çdo pajisje, apo makineri që sillet në vend, nuk ka taksa importi. Po ashtu, kemi 10 vjet moratorium për taksat e korporatave,”- thotë Vincent Okyere Akomeah, i bordit të kakaos.

Këto politika u vijnë në ndihmë kompanive të mëdha, që janë në gjendje të blejnë makineri. Shumica e prodhuesve artizanalë të çokollatës në Ganë nuk marrin asnjë lloj ndihme nga qeveria dhe në shumë raste operojnë në disa pjesë të vendit, ku ndërpritet shpesh furnizimi me energji elektrike. Kjo tani për tani mund t’i detyrojë fermerët e vegjël që ta eksportojnë produktin e tyre të kakaos jashtë vendit./VOA/OxygenPress.info