Shkarkohet Jose Mourinho

0
30

Dy golat e Xherdan Shaqirit në fitoren e Liverpoolit ndaj Manchester Unitedit (3:1) kanë qenë goditja e fundit, e cila përdundimisht i ka bindur zyrtarët e “Djajve të Kuq” për ta shkarkuar trajnerin Jose Mourinho.

Tekniku portugez në këtë detyrë u emërua në maj të vitit 2016.

Sezoni aktual ka ecur shumë keq për Unitedin dhe në këtë moment është 19 pikë pas Liverpoolit kryesues, rekord që kur është krijuar Premier League, në 1992.

Ditët e fundit Mourinho deklaroi se edhe vendi i katërt do të ishte një sukses, duke parë si po ecën ky sezon, diçka që ka tërbuar tifozët dhe ka bërë të humbë durimi edhe nga drejtuesit e klubit.

Vetëm një fitore në 6 ndeshjet e fundit të kampionatit, duke lëshuar pikë edhe ndaj ekipeve modeste si Southampton e Crystal Palace, kanë vulosur fatin e portugezit.

Marrëdhëniet mes “Special One” dhe zëvendës-presidentit Ed Woodward ka kohë që janë të ndera dhe që në verë nisi konflikti i hapur, kur Mourinho kërkoi qendërmbrojtës klasi, por nuk u ble, pasi klubi gjykoi se nuk ekzistonin lojtarë në treg më të mirë se ata që ka në ekip Mourinho.

Më pas konfliktet pasuan njëri-tjetrin dhe më i famshmi ishte ai mes Mourinhos e Pogbas, me francezin që pati një debat të egër me trajnerin. Mourinho i hoqi shiritin e zëvendëskapitenit dhe në ndeshjet e fundit Pogba ka qenë rregullisht në bankinë.

Gjithashtu, Mourinho ka kritikuar hapur lojtarët për mungesë cilësie dhe mentaliteti fitues, ndërsa ka pasur fjalë të ashpra edhe për lojtarët e rinj në moshë, që sillen shumë keq krahasuar me futbollistët e rinj të disa dekadave më parë.

Edhe në verë Mou ishte i pakënaqur, për shkak se shumë lojtarë ishin pushim nga Kupa e Botës dhe United shkoi në turne në Amerikë me çerek ekipi, duke u bërë qesharak.

Në vend të Mourinhos, së paku përkohësisht është emëruar ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Michael Carrick./OxygenPress.info