BE do të krijojë Agjencinë Evropiane të Punës

0
97

Me synim që të mbështetet zbatimi i legjislacionit të BE-së në shtetet anëtare, Bashkimi Evropian (BE) do të krijojë “Agjencinë Evropiane të Punës,  në fusha si lëvizja e lirë e punëtorëve, transferimin e tyre në vendet e tjera dhe sigurimi social, transmeton Anadolu Agency (AA)

Ministrat e punës të 28 shteteve anëtare të BE-së u takuan në Bruksel, në kuadër të takimit të Këshillit të BE-së.

Këshilli i BE-së njoftoi se në takim ministrat e shteteve anëtare kanë përcaktuar një pozicion të përbashkët për negociatat që do të zhvillohen me Parlamentin Evropian mbi rregulloret e ndryshme në fushën e punës.

Sipas kësaj, do të krijohet “Agjencia Evropiane e Punës” për të zgjidhur problemet e punëtorëve që punojnë në vendet e BE-së dhe problemet e punëdhënësve që kanë në lidhje me lëvizshmërinë e punëtorëve përtej kufijve.

“Agjencia Evropiane e Punës” do të sigurojë qasje në informata për të drejtat dhe detyrimet përkatëse për punonjësit, punëdhënësit dhe autoritetet e vendit në rastet e lëvizshmërisë ndërkufitare. Po ashtu do të mbështesë koordinimin midis vendeve anëtare në këto fusha dhe do të kontribuojë në realizimin kontrolleve të përbashkëta.

Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian do të kryejnë bisedime mbi themelimin e kësaj agjencie, ndërsa institucioni do të bëhet funksional nëse do të arrihet një konsensus në negociatat që do të zhvillohen.

Institucioni që do të veprojë si një ndërmjetës mes autoriteteve për të zgjidhur mosmarrëveshjet që punonjësit përjetojnë përtej kufijve, do të mbështesë edhe bashkëpunimin mes vendeve anëtare në përcaktimin e punëtorëve të paligjshëm.