Rëndësia e themelimit të Shkollës së Baletit në Kosovë

0
353

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i ka shkruar letër Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqri Bytyqi, që të themelojë Shkollën Kombëtare të Baletit në Kosovë.

Ministria e Kulturës thotë se kërkesa për themelimin e kësaj shkolle ka ardhur duke e parë si interes kombëtar, si dhe për faktin se nuk ka një shkollë të tillë apo institucion arsimor ku bëhet shkollimi dhe përgatitja e kuadrit për trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Kosova, për momentin ka një trupë të vogël të Baletit në kuadër të Baletit Kombëtar të Kosovës, edhe pse shumë profesionale dhe që ka dëshmuar vetën në shumë shfaqje në Kosovë dhe në shumë qendra të Evropës me performanca artistike dhe profesionale, si dhe në shumë bashkëpunime ndërkombëtare”, ka thënë Gashi në letrën e tij drejtuar Bytyqit.

“Në lidhje me strukturën dhe veprimtarinë e përgjithshme të shkollës mund të themelojmë një grup të përbashkët, i cili grup punues do të përgatiste në detale organogramin e shkollës si dhe veprimtarinë e saj, si model mund ta marrim shkollën Kombëtare të Baletit në Shqipëri”, ka shtuar ai.

Sipas Gashit, kjo shkollë do t’i sigurojë vendit breza të ri të balerinëve të cilët do të jenë të përgatitur dhe shkolluar nga kuadro profesionale, dhe do t’i ndihmojë Baletit Kombëtar të Kosovës dhe veprimtarisë së baletit në përgjithësi./OxygenPress.info.