Rivaldo zbulon një histori interesante nga jeta e tij

0
38

Njëri nga futbollistët legjendarë të Brazilit është edhe Rivaldo. Përveç si futbollist, ai njihej edhe si besimtar i mirë, por ajo që nuk dihej, ishte se ish-lojtari i Barcelonës nuk ka qenë gjithmonë kështu. Deri në vitin 2004, ai nuk besonte në Zot, por zërat që i përsëriteshin vazhdimisht në kokë e bënë atë që të ndryshonte mendje.

“Unë nuk isha besimtar. Por, në vitin 2004,  më ka ndodhur diçka interesante. E kisha lënë Cruzeiron dhe nuk po luaja. Në atë kohë fillova të dëgjoj një zë, që më thoshte se do të vdisja në një aksident trafiku. E dëgjoja në çdo moment dhe shumë qartë. Më vonë, një zë tjetër më tha që, nëse besoja në të, unë nuk do të vdisja”,  tregon kampioni i botës me Brazilin për “Clarín”.

Rivaldo, larg nga të qenit i frikësuar nga zëri, ndjeu nevojën për ta përzënë atë vazhdimisht: “Mundohesha të dilja, për ta larguar këtë zë nga koka ime. I hipja makinës. I tregoja gruas se do të shkonim në Curitiba për një shëtitje, por ajo nuk e dinte problemin tim”.

Kjo vazhdoi deri në një ditë, kur çdo gjë ndryshoi në jetën e ish-yllit të Barcelonës dhe Brazilit. “Një ditë nuk munda më. Shkova vetëm në Mogi Mirim (komuna e Sao Paulo). Gjatë gjithë udhëtimit e kam dëgjuar atë zë. Kisha ndjenjën se diçka do të ndodhte atë ditë. M’u kujtuan disa të njohurit e mi, që vdiqën në aksidente rrugore.  Babai im vdiq në një aksident. U ktheva me shumë frikë, qëndroja larg nga kamionët që ecnin në rrugë. Kur u ktheva në shtëpi, dola nga ashensori dhe fillova të qaj si një fëmijë. Atë ditë kam vendosur t’ia jap jetën time Perëndisë. Dhe kurrë nuk i dëgjova më ato zëra”, zbulon Rivaldo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here