Studimet thonë se vetmia është shumë e dëmshme për trurin

Rezultatet e reja, së bashku me studimet e tjera të trurit tregojnë qartazi se për qëniet sociale, izolimi është i dëmshëm, thotë neurobiologia Huda Akil e Universitetit të Miçiganit. “S’ka dyshim se kjo e ndryshon arkitekturën bazë të trurit”- shton Akil.

Neurobiologu Riçard Smejn i Universitetit Thomas Xheferson në Filadelfia dhe kolegët e tij, rritën komunitete të gjeneratave të shumëfishta të minjve në kafaze të mëdhenj, të mbushura me lodra, labirintë dhe shkallare të vogla për t’u ngjitur.

Kur disa nga kafshët e arritën moshën madhore, ato u morën dhe vendosën individualisht në një kafaz të vogël të errët, tha Smejn. Ky kalim i menjëhershëm nga një shoqëri komplekse tek izolimi, nxiti ndryshime në tru, të cilat i zbuluan më vonë Smejn dhe kolegët e tij.

Madhësia e përgjithshme e qelizave nervore, ose neuroneve, u zvogëlua me rreth 20 për qind pas 1 muaji izolimi. Kjo tkurrje, ishte përafërsisht e qëndrueshme gjatë 3 muajve, ndërsa minjtë mbetën në izolim. Qelizat nervore (të gjelbra) në tru, kanë grumbuj të vegjël të marrjes së mesazheve, që quhen spina dendriti.

Pas një muaji izolimi social, neuronet e minjve kishin më shumë nga këto spina, tregon një studim i ri. Por, ndërsa izolimi vazhdoi, ato u zhdukën. Për habinë e kërkuesve, pas 1 muaji izolimi, neuronet e minjve kishin një densitet më të lartë të tyre – struktura për të bërë lidhje nervore – në dendritet që pranonin mesazhin.

“Është përpjekur të rimëkëmbet, nuk mundet, dhe ne fillojmë t’i shohim këto probleme”- shtoi më tej Smejn. Studiuesit zbuluan gjithashtu sinjale të tjera shqetësuese, duke përfshirë zvogëlimin e një proteine ​​të quajtur BDNF, e cila nxit rritjen e neuroneve. Nivelet e hormonit të stresit, kortizoli, gjithashtu ndryshuan. Krahasuar me minjtë e vendosur në grupe, minjtë e izoluar kishin ndërkohë më shumë ADN të shkatërruar në neuronet e tyre.

Hulumtuesit studiuan neuronet në lëvoren shqisore, një zonë e trurit e përfshirë në marrjen e informacionit, dhe lëvoren motorike, e cila ndihmon lëvizjen e kontrollit. Nuk dihet nëse efektet e ngjashme ndodhin në zona të tjera të trurit, thotë Smejn.

Gjithashtu nuk dihet se si ndryshimet nervore, lidhen me sjelljen e minjve. Tek njerëzit, izolimi afatgjatë mund të çojë në depresion, ankth dhe psikozë. Preket edhe fuqia e trurit. Njerëzit e izoluar, fillojnë të kenë probleme me arsyetimin dhe kujtesën.

Smejn po kryen studime afatgjata, që synojnë të kuptojnë efektet e tkurrjes së neuroneve, mbi aftësitë e të menduarit dhe sjelljen. Ai dhe kolegët e tij, planifikojnë gjithashtu t’i rikthejnë minjtë e izoluar tek grupet e tyre, për të parë nëse ndryshimet e trurit mund të zhbëhen. Këto lloje studimesh prekin një çështje të rëndësishme, thotë Akil. Pyetja është:”Kur diçka është shumë vonë për t’u riparuar?”. /Bota/OxygenPress.info