Robben para vendimit të vështirë

Legjenda e futbollit holandez, Arjen Robben ka vendosur të largohet nga Bayern Munich, por ende nuk është përcaktuar  çfarë do të bëjë në të ardhmen.

I intervistuar nga “RMC Sport”, Robben është rikthyer tek vendimi për të lënë Bayernin pas 10 vitesh eksperiencë të lavdishme. Sulmuesi holandez, që në janar do të mbushë 35 vjeç, ka bërë transparente kushtet mbi të cilat ka marrë vendimin e bujshëm: “Vendimi për t’u larguar nga një klub si Bayern nuk merret me zemër të lehtë. E kam menduar gjatë, por në përfundim besoj se kam zgjedhur për së miri. Duhet të mendoj për të ardhmen time, por fakti më gëzon fakti që vendimi për t’u ndarë me Bayernin u kuptua mirë nga të gjitha palët”.

E ardhmja nuk është vendosur ende. Ose më mirë, Robben vlerëson edhe hipotezën për t’i thënë lamtumirë futbollit. “Ndeshja kundër Benficas dëshmoi se mund të qëndroj akoma më gjatë në nivele të larta, por nuk kam vendosur nëse do ta mbyll me futbollin, ose jo. Do të vlerësoj ofertat që do të më mbërrijnë, nëse nuk do të vijnë, atëherë do të jetë moment për të mbyllur karrierën. Kam tre fëmijë që kanë të drejtën të jenë të lumtur, prandaj me siguri nuk do të shkoj të luaj në Kinë, apo në shkretëtirë…”, deklaroi holandezi.