Në ambientet e Muzeut të Kosovës është bërë promovimi i katalogut me imazhe taktile dhe të përkthyer në Brail, nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve në Kosovë.
“Kjo do të jetë një mundësi shtesë për ne që të njohim të kaluarën e popullit tonë, që përmes ndjesisë së prekjes të njohim arkeologjinë e Kosovës”, tha Daut Tishuku nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës.
Katalogu që u promovua në Muzeun e Kosovës, me imazhe taktile, përmes prekjes përmban kryesisht objekte nga sektori arkeologjik i Muzeut.
“Ky katalog sigurisht që promovohet me ju dhe përtej katalogut promovojmë bashkëpunimin e gjate tuajin me Muzeun e Kosovës. Imazhet taktile të paraqitura në këtë katalog, përmes shqisës së prekjes sjellin një pjesë të koleksionit të Muzeut më afër te personat e verbër dhe me dëmtime në të parë”, tha ministri i Kulturës, Kujtim Gashi.
Aty u tha se MKRS do të vazhdojë të përkrah aktivitete të kësaj natyre dhe t’u gjendet afër edhe kësaj kategorie./OxygenPress.info