Kush ishte Karl Gega?

0
1101

Shqiptari Karl Gega, ka hyrë në histori si një nga inxhinerët pionerë të hapjes së tuneleve në veprat e mëdha infrastrukturore. Ai lindi më 10 janar në vitin 1802 në Venecia të Italisë, ndërsa të parët e tij kishin emigruar nga Shqipëria e Veriut pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit osman.

Ishte inxhinieri me origjinë shqiptare, ndërtues i hekurudhës së Semmering-ut prej Gloggnitz deri në Mürzzuschlag në Austri. Ai studioi në Padova të Italisë, ku edhe mori titullin Doktor i Shkencave Matematikore. Karrierën e filloi si inxhinier në pjesën e Italisë verilindore dhe ndërtoi rrugë e ujësjellës në Venecia.

Në vitin 1842, Gega u emërua udhëheqës planifikimi për të gjithë jugun e shtetit Austro-Hungarez. Ndër të tjera, ndihmoi në ndërtimin e rrugës “Strada d’alemagna”, rrugës nga Treviso për në Cortina d’Ampezzo, hekurudhën Vjenë-Graz-Trieste dhe hekurudhën e Semmeringut. Kjo e fundit mbetet si një nga veprat me të hershme dhe më të shquara të hekurudhave në Europë.

Në Semmering u hap dhe një tunel malor me gjatësi 1430m. Tuneli që përshkonte malin, llogaritej nga bashkëkohësit e tij si shumë i rëndë dhe i pamundur. Pas mbarimit të saj në vitin 1854, ai fitoi titullin Rihter, që do të thotë Kalorës.

Në vitet 1853-54, Gega planifikoi të gjithë rrjetin e hekurudhave  në monarkinë Habsburge. Por, ndërtimi i hekurudhës së Semmeringut i kushtoi jetën Gegës, pasi rivalët thurën fjalë se tuneli i projektuar prej tij do të dështonte. Ndaj ai, vrau veten para se tuneli të përfundonte. Pas vdekjes së tij, punimet vazhduan dhe tuneli përfundoi me sukses.