DIABETI – çka duhet të dini për këtë sëmundje!

0
652

Diabeti është një nga sëmundjet më të përhapura në të gjithë botën.

Globalisht që prej vitit 2010 rreth 285 milionë njerëz vuanin nga diabeti Tip 2 (që përbëjnë rreth 90 për qind të rasteve me diabet).

Përhapja e kësaj sëmundjeje vazhdon të rritet me shpejtësi dhe mendohet që deri në vitin 2030 ky numër të dyfishohet.

Diabeti është sot kryesisht një sëmundje e vendeve të zhvilluara, por nuk po mbeten pas as vendet në zhvillim, sidomos ato vende që po ndjekin trendin e “stilit perëndimor”. Diabeti është një nga sëmundjet e para të përshkruara në një dorëshkrim egjiptian (rreth vitit 1500 p.e.s ) duke u përkufizuar si një: “zbrazje shumë e madhe e urinës”. Kurse mjekët indianë e kanë identifikuar si ”urina e mjaltit”, duke vënë në dukje tërheqjen drejt saj të milingonave (nga prania e sheqerit në të). Termi “Diabet” u përdor për herë të parë (në greqisht) nga Apolloni grek në vitin 230 p.e.s. që do të thotë “një kalim përmes”.

Ndërsa fjala “Melitus” vjen nga fjala latine klasike që do të thotë “e ëmbël mjaltë”. Kjo erdhi pasi u vu re që urina e këtyre të sëmurëve ishte e ëmbël. Urina e ëmbël u vu re nga grekët e lashtë, kinezët, egjiptianët, indianët.

Çfarë është diabeti ?

Diabet është një sëmundje metabolike gjatë së cilës kemi nivel të lartë të sheqerit në gjak (glicemia ).

Ky nivel i lartë i sheqerit vjen ose për shkak se pankreasi nuk prodhon insulinë të mjaftueshme ose për shkak se insulina e prodhuar është e mjaftueshme, por nuk i përgjigjen qelizat e organizmit.

Është pikërisht ky nivel i lartë i sheqerit në gjak që prodhon simptomat klasike të diabetit : poliuria (urinimi i shpeshtë ), polidipsia (etje e shtuar) dhe polifagia (oreks i shtuar). Ekzistojnë disa lloje diabetesh : Diabeti Tip 1 që sicc e thashë edhe më sipër ka të bëjë me paaftësinë e organizmit për të prodhuar insulinë. Diabeti Tip 2 kur qelizat e organizmit nuk e përdorin insulinën si duhet. Mjaft prezent po bëhet dhe diabeti që shfaqet për herë të parë në gratë shtatzëna pa pasur më parë histori diabeti. Kjo situatë mund ti paraprijë më pas diabetit Tip2.

Cilët janë shkaktarët e diabetit ?

Diabeti Tip 1 mendohet se është i trashëguar (në pjesën më të madhe), por gjithashtu ka studime që referojnë për ndikimin në shfaqjen e këtij lloji të një klase të viruseve “B4 Coxacie”. Ndërsa në shfaqjen e diabetit Tip 2 luajnë rol vendimtar faktorët e mjedisit dhe stili i jetesës. Ndër faktorët më kryesorë po rendisim: -obeziteti, niveli i lartë i yndyrave në gjak (30 për qind e rasteve me këtë lloj diabeti kanë yndyrat e larta), mungesa e aktivitetit fizik, jeta sedentare, konsumimi i lartë i ushqimeve yndyrore dhe i pijeve të pasura me sheqerna, përdorimi i alkoolit, përdorimi i duhanit, predispozicioni familjar, etj.

Si diagnostikohet sëmundja ?

Matja e nivelit të sheqerit bëhet esëll (pa ngrënë) dhe duhen bërë matje të përsëritura. Merret në konsideratë dhe konsultohet me mjekun specialist endokrinolog kur niveli i glukozës në gjak kalon 126 mg/dl. Sigurisht që kryhen edhe ekzaminime të tjera, por kjo i takon konsultave me specialistin. Në jetën tonë të përditshme ccdo 6 muaj nën përkujdesjen e mjekut të familjes duhet të bëjmë një bilanc të përgjithshëm të funksionimit të organizmit tonë. Janë pikërisht mjekët e familjes që kanë këtë detyrë, si edhe referimet përkatëse për konsultat me mjekët specialistë.

Trajtimi, 9 hapat për menaxhimin e diabetit

Duhet ditur se diabeti është një sëmundje kronike prandaj duhet trajtuar me përgjegjësi dhe korrektësi për të pasur një ecuri të mirë të tij, për të shmangur apo minimizuar komplikacionet e tij dhe pse jo, në thelb për të bashkëjetuar me diabetin në një jetë normale dhe të shëndetshme. Menaxhimi synon që të mbajë nivelin e sheqerit sa më afër normës, por pa shkaktuar uljet nën normë. Kjo zakonisht realizohet me medikamente, por kanë rol të rëndësishëm edhe dieta ushqimore dhe ushtrimet fizike, pra stili i jetesës.

Duke qenë me diabet nuk do të thotë se jemi ndryshe nga të tjerët, nuk do të thotë se ndryshojnë nevojat themelore të jetës apo dëshirat. Të qenët me diabet vështirëson disa aspekte të jetës, por duke qenë korrekt dhe të kujdesshëm nuk ndikon në cilësinë e jetës. Është e rëndësishme të mbahet mend:

-Sa më larg stresit të jemi aq më mirë është, gjatë sëmundjes së diabetit rritet prodhimi i hormoneve të stresit dhe kjo ndikon në rritjen e glukozës në gjak.

-Njerëzit me diabet mund të kenë leje drejtimi automjeti, por gjithmonë duhet të kontrollojnë nivelin e sheqerit në gjak. Kujdes i madh duhet bërë edhe për nivelet e ulura të glukozës tek këta të sëmurë.

-Duhet kontrolluar aftësia e pamjes sepse diabeti dëmton shpesh sytë.

Rëndësi ka edhe higjiena e këmbëve pasi diabeti ccon në zhvillimin e infeksioneve mykotike dhe bakteriale.

-Këshillimi me mjekët specialist për regjimin ushqimor dhe vlerësimin e kalorive

-Shpërndarja e ushqimit në disa vakte dhe në porcione të vogla.

-Ushtrimet fizike, ecjet në ajër të pastër luajnë rol ne djegien e kalorive.

Fakte nga vendi ynë

Sipas të dhënave të detajuara nga strukturat e shëndetit publik rezulton se përhapja e diabetit në Shqipëri në popullatën e rritur është 1.9 për qind, që do të thotë se  kemi afërsisht 60 mijë diabetike të njohur. Në fakt numri duhet të jetë 2-3 herë më i lartë, pasi në disa kontrolle të kryera në kryeqytet është vënë re se tendenca e përhapjes së diabetit të padiagnostikuar ka qenë 3-4 për qind, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë. Mosha më prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç që përbën gati 40 për qind të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjecc. Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku i diabetit që po prek moshat që janë aktive për punë, por këmbanat po bien sepse forma e diabetit 2 po takohet edhe tek fëmijët. Diabeti që takohet më shumë është diabet tip 2 me 90 për qind dhe 10 për qind diabet tip 1. Diabeti është një sëmundje me zhvillim të ngadaltë ,dhe shpesh të” heshtur”ndaj  thelbësore është sensibilizimi,informimi i komunitet për njohjen e diabetit.

Për parandalimin e tij duhet të kemi parasysh disa këshilla:

Kryerja e kontrolleve të rregullta të sheqerit në gjak ,1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e rrezikuar ndërsa njerëzit e tjerë kryerja e testit 1 herë në 3 vjet.

Kontrolli rregullisht i tensionit të gjakut.

Mbajta e peshës nën kontroll.

Kryerja e aktivitet fizik, 30 min të paktën në 5 ditë të javës.

Pakësimi i marrjes së yndyrave në ushqim, sidomos ato shtazore.

Përdorimi i ushqimeve të pasura me fibra, si fruta, zarzavate, etj.

Shmangia e përdorimit të duhanit e alkoolit.

Dëmet që vijnë nga një diabet i patrajtuar !

Diabeti është nga të paktat sëmundje që arrin të prekë e të dëmtojë heshturazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore të trupit pa përjashtim dhe sidomos enët e gjakut, duke krijuar aksidente dramatike e tragjike, nëse ai nuk mbahet nën kontroll. Diabeti jep ndërlikime si në enët e vogla të gjakut, në kapilarët e arteriet shumë të vogla, por jep edhe ndërlikime aterosklerotike në enët e mëdha të gjakut. Diabeti jep komplikacione në sy, këmbë, zemër, veshka dhe në tru, nëse shifrat e sheqerit në gjak nuk mbahen afër vlerave normale diabetit. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet i sëmuri të jetë me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj, pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta, më të përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu