Berati, destinacioni i përhershëm turistik

0
431

Qyteti i “Një mbi një dritareve” ka nisur të gjallërohet nga turistët vendas e të huaj, sidomos në fundjavë.

I njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, Berati zgjon përherë e më shumë interesin e turistëve që e kanë vizituar.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani tha sot për ATSH-në se “në Kala në fundjavë kishte një fluks të madh vizitorësh kryesisht vendas, nga qytete të ndryshme. Të shtunën dhe të dielën ishin 300 vizitorë, nga të cilët 50 ishin të huaj kryesisht nga Bullgaria, Polinia, Çekia, etj”.

Sipas tij, këto janë shifra modeste, për shkak të pandemisë COVID-19.

“Megjithatë kjo shifër është sinjal që në fundjavë turistët vendas vijnë gjithmonë e më shume se shfrytëzojnë hyrjen falas”, – tha Kallfani.

“Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture në të gjithë dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit”,- shtoi ai.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta.