Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së sot në Kuvend, Rexhep Selimi tregon veprimet e Vetëvendosjes

0
52

Kuvendi i Kosovës vazhdon sot me seancë plenare. Për shqyrtim dhe votim janë paraparë shumë pika në rend dite. Ndër të tjera pritet votimi i projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së.

Lëvizja Vetëvendosje tash e sa kohë ka marrë vendim që t’i bojkotojë seancat e rregullta të Kuvendit, si përgjigje për mos thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të kërkuar nga opozita, për të diskutuar lidhur me dialogun me Serbinë.

Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka konfirmuar qëndrimin e kësaj partie sa i përket pjesëmarrjes së tyre në seancë.

Për “Oxygenin” ai ka thënë se Vetëvendosje merr pjesë në seanca të Kuvendit vetëm kur në rend ditë marrëveshje ndërkombëtare, apo çështje të rëndësishme siç ishte pako me tre projektligjet për transformimin e FSK-së.

“Ne do të jemi në seancë, për ato çka janë të domosdoshme, për ato çka janë të përgjithshme, me interes të përgjithshëm dhe përtej qeverisë. Kurse qeverisë nuk ia luajmë lojën e sponsorizimit të ligjeve të tjera, ata duhet të ndërgjegjësohen që as ligjet normale nuk mund t’i kalojnë pa opozitën”, thotë ai.

Për seancën që pritet të nisë sot në orën 10:00, kur pritet të votohet edhe për vlerat e UCK-së,  Selimi ka thënë që do të shkojnë sa për të treguar qëndrimin e tyre.

“Po, do të japim mendimin tonë sërish, do të japim pakënaqësinë tonë, që këto ligje me rëndësi kaq vitale, kaq të madhe, po kalohen me mungesë të opozitës dhe me një mungesë të seriozitetit të sponsorizuesve”, thotë ai.

Ai ka thënë se Ushtria Çlirimtare është e veçantë, dhe deputetët e Vetëvendosjes do të mund të jepnin kontributin e tyre në këtë ligj.

Deputeti Rexhep Selimi ka folur edhe për transformimin e FSK-së dhe çështje tjera të rëndësishme. Bisedën me ish-komandantin e UCK-së do të mund ta ndiqni të shtunën në emisionin “Oxygen” prej orës 21:00 në televizionin Klan Kosova./OxygenPress.info

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu