Aeroporti i Katanias në Sicili u detyrua të mbyllet pas shpërthimit të vullkanit Etna, i cili mbuloi pistën me hirin vullkanik.
”Asnjë avion nuk mund të ngrihet ose të ulet sot”, deklaruan autoritetet aeroportuale.
Etna ka shpërthyer në mënyrë të përsëritur javët e fundit, por raportet për dëmtime të mëdha ose lëndime janë të rralla.
Ndonjëherë, hiri arrin deri në dritaret e shtëpive ndërsa vullkani gjëmon gjatë shpërthimeve.
Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) Etna, 3 300 metra e lartë, ka shpërthyer lavë dhe hi në ditët e fundit, kryesisht nga krateri i saj juglindor.
Instituti regjistroi gjithashtu shpërthime rastësore në anën verilindore.
Sipas një raporti të institutit, shtëllungat e hirit u ngritën pesë deri në 10 kilometra në qiell, matur nga niveli i detit./ATSH