Amerika e Veriut përjeton qershorin më të nxehtë në histori

0
57

Amerika e Veriut sapo ka provuar qershorin e saj më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve dhe Europa të dytin më të nxehtë, deklaroi shërbimi i BE për monitorimin e ndryshimeve klimatike.

”Muaji i kaluar ishte veçanërisht i ngrohtë në SHBA-në Perëndimore, Kanada, Finlandë si dhe në Rusinë Perëndimore”, deklaroi Shërbimi i Ndryshimit të Klimës ”Copernicus” i BE, me qendër në Londër.

Në kryeqytetin finlandez Helsinki, ku monitorimet mbahen që në vitin 1844, temperatura mesatare e qershorit nuk ka qenë kurrë aq e lartë sa këtë vit.

Kryeqyteti i Rusisë, Moska, regjistroi ditën e saj më të ngrohtë të qershorit.

Ishte gjithashtu më e ngrohtë se mesatarja në Siberi, megjithëse jo aq shumë sa në tre vitet e mëparshme.

Në provincën kanadeze të Kolumbisë Britanike, u regjistruan tri rekorde të nxehtësisë në tri ditë rresht.

Globalisht, qershori 2021 ishte gjithashtu ndër më të ngrohtët që kur kanë filluar matjet.

Vetëm 2016, 2019 dhe 2020 regjistruan temperatura mesatare më të larta.

Megjithatë, më e ftohtë se mesatarja e viteve 1991-2020 ishte Antarktida.

Shërbimi i Ndryshimit të Klimës ”Copernicus” prodhon raporte mujore mbi temperaturën e ajrit, akullin e detit dhe ciklin e ujit.

Ai mbështetet në të dhënat nga satelitët, anijet, aeroplanët dhe stacionet e motit rreth globit, si dhe llogaritjet e modelit./ATSH