Dardanët të gatshëm, optimizëm për fitore

0
58

Kombëtarja e Kosovës e ka kryer stërvitjen e fundit para ndeshjes më të rëndësishme në historikun e saj të ri, që e zhvillon nesër në orën 20:45 kundër Çekisë në stadiumin “Doosan Arena” në Plzen. Në seancën e fundit kanë stërvitur të gjithë futbollistët që përzgjedhësi Challandes i ka grumbulluar për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2020, me përjashtim të Vedat Muriqit, i cili tashmë është kthyer në Turqi, për shkak të lëndimit. Atmosfera në radhët e Dardanëve është mjaft optimiste dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes së nesërme. Nga afër stërvitjen e djemve dardanë e kanë ndjekur edhe krerët e FFK-së.

Para stërvitjes në konferencën për media janë paraqitur përzgjedhësi Bernard Challandes dhe mesfushori Valon Berisha. Trajneri zviceran e pranoi se lëndimi i Vedat Muriqit ka qenë një goditje e madhe për Kosovën, por theksoi se ekipi është i përgatitur dhe do të reagojë si grup. “A jemi gati? Sigurisht që po, pasi nëse nuk do të ishim do të qëndronim në Prishtinë e nuk do të vinim këtu. Muriqi është një mungesë e rëndësishme, pasi nuk kemi një lojtar të dytë si ai, që mund ta zëvendësoj kokë më kokë, por ka shumë rëndësi që të reagojmë si grup dhe të luajmë në këtë mënyrë në fushën e lojës”, ka thënë Challandes. Ai nuk ka dhënë detaje në lidhje me skemën e lojës dhe formacionin dhe as nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e rivalëve të nesërm. “Ajo që po bëj unë është përgatitja e ekipit tim për një ndeshje sa më të mirë, pasi jemi në një moment vendimtar të kualifikimeve dhe duam të arrijmë diçka. A pres një shtatore në Prishtinë në rast kualifikimi në Euro 2020? Po, shpresoj”, ka nënvizuar Challandes.

Ndërkohë, Valon Berisha ka thënë se nesër i pret një ‘luftë’ në aspektin e angazhimit në fushën e gjelbër, pasi të dyja ekipet synojnë kualifikimin. “Ne i kemi gjasat për t’u kualifikuar. I kemi mposhtur në shtëpinë tonë dhe kjo ndeshje e radhës është si finale për ne. E dimë që do të jetë shumë e vështirë, sepse çekët janë të fortë, krijuan shumë raste edhe në Prishtinë, por jemi gati për këtë luftë, sepse e tillë do të jetë ndeshja nga fillimi deri në fund. Do të ketë një lojë tepër fizike. Gjithsesi, ne duhet të qëndrojmë të qetë. Ne e kemi fatin për ta përfaqësuar vendin tonë. Nuk shikojmë çfarë mendojnë njerëzit, por vetëm ndjekim ëndrrën për ta çuar Kosovën përpara”, ka thënë Berisha. Kosova ka nevojë për fitore në ndeshjen e nesërme për ta pasur më pas fatin e kualifikimit në duart e veta.