Ministria e Mbrojtjes hapë konkursin për rekrutimin e 840 ushtarëve aktivë në FSK

0
203
Ministria e Mbrojtjes njofton të gjithë të interesuarit për shpalljen e konkursit për rekrutimin e 840 ushtarëve të rinj në FSK.
Për procedurat e aplikimit dhe përzgjedhjes, procedurat e testimit dhe kriteret, si dhe dokumentet e kërkuara për aplikim, ju njoftojmë në shpallje të konkursit që është në vijim.
Ministria e Mbrojtjes, të gjithë të interesuarve, ju garanton proces të drejtë dhe transparent, në zbatueshmëri të plotë të procedurave dhe kritereve ku do të zgjidhen më të mirët prej më të mirëve.
Konkursi është i hapur prej 21.10.2021 deri më 03.11.2021.
Republika e Kosovës
Republika Kosova-Republic of Kosovo
Qeveria –Vlada-Government
Ministria e Mbrojtjes/ Ministarstvo Odbrane / Ministry of Defense
Drejtoria e Burimeve Njerëzore/Direktorat Ljudskih Resurs/Human Resources Directorate
Duke bazuar në nenin 5 të Ligjit Nr. 06/L-122 për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, nenin 6 të Ligjit Nr.06/L-124 për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe Rregulloren Nr. 03/2020 për Rekrutim në FSK, dhe Rregulloren Nr.01/2021 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores Nr.03/2020 për Rekrutim në FSK, Ministria e Mbrojtjes shpall:
K O N K U R S
Për rekrutimin e tëtëqindekatërdhjetë (840) rekrutëve të rinj
të Forcës së Sigurisë së Kosovës
Grada; Rekrut/OR-1
Statusi: Aktiv
Vendi: FSK
Kriteret e përgjithshme për rekrut/OR1 të FSK-së janë:
• Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës;
• Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
• Të ketë të përfunduar shkollën e mesme;
• Të ketë aftësi të nevojshme shëndetësore dhe fizike për vendin e shërbimit;
• Të mos jetë i dënuar për vepra penale me vendim të formës së prerë;
• Të ketë figurë të pastër dhe të mos ketë probleme dëbimi nga shtetet tjera;
• Të jetë i moshës 18 – 23 vjeç në datën e aplikimit;
• Të ketë gjatësi trupore jo më pak se 165 cm për meshkuj dhe 160 cm për femra;
• Të mos kenë tatuazhe në fytyrë, qafë dhe parakrah nga pjesa e bicepsit e deri te gishtat e dorës duke përfshirë edhe pirsingun. (Në rast përzgjedhjeje, kandidatët janë të obliguar të bëjnë heqjen e tyre paraprakisht në afatin kohor deri në trajnimin bazik, në të kundërtën do të diskualifikohen).
Procedurat e shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes:
• Shqyrtimi fillestar i aplikacioneve;
• Testi fizik;
• Testi i inteligjencies dhe Testi i njohurive të përgjithshme:
• Intervista;
• Kontrolli mjekësor;
Kalimi me sukses i testit paraprak është kusht për të drejtën e testimit në fazën vijuese.
Dokumentet e nevojshme për aplikim:
• Diploma e shkollës së mesme /e nostrifikuar, (diplomat e fituara jashtë Republikës së Kosovës, duhet t’i nënshtrohen procesit të njohjes nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë);
• Certifikata nga Gjykata dhe Policia e Kosovës për të kaluarën e tyre penale
(origjinali), jo më e vjetër se 6 muaj;
• Ekstrakti i lindjes;
• Kopja e letërnjoftimit apo pasaportës;
• Dy fotografi të formatit (5 cm x 5 cm).
Shënim: Kandidatët duhet të ofrojnë informata të sakta gjatë procesit të rekrutimit. Dhënia e informatave të rrejshme kurdo që zbulohet, gjatë procesit të rekrutimit apo gjatë shërbimit në FSK, rezulton me largim nga FSK-ja.
E drejta në ankesë
• Të drejtën e ankesës e ka çdo kandidat pas marrjes së rezultateve të çdo faze të testimit përkatës.
• Rezultatet publikohen në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK dhe kandidatët e eliminuar kanë të drejtë ankese brenda afatit 2 ditor. Afati i ankesës rrjedh ditën pasuese pas publikimit të rezultatit.
Konfirmimi i pranimit në FSK;
• Pastërtia e Figurës; Kandidatët e përzgjedhur për rekrut i nënshtrohen procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës në pajtim me rregulloren përkatëse për pastërtinë e figurës, gjatë kohës sa rekrutet janë në stërvitjen bazë apo edhe pas dhënies së betimit. Mos kalimi me sukses i pastërtisë së figurës paraqet shkak për ndërprerjen e kontratës së shërbimit në çdo kohë.
• Trajnimi Bazik; Pranimi në Forcën e Sigurisë së Kosovës bëhet si rekrutë për kategorinë e ushtarëve. Pranimi në FSK konfirmohet pas përfundimit të trajnimit bazik, gjatë së cilës kohë, kandidatët do të cilësohen si rekrutë (OR1). Pas përfundimit të trajnimit bazik, rekrutët marrin gradën e ushtarit.
• Gjatë procesit të testimit, kandidatët duhet të zbatojnë të gjitha masat dhe rekomandimet e Institutit Kombëtarë i Shëndetësisë Publike në Kosovë përkitazi me parandalimin e përhapjes së COVID 19. Rekomandohet mbajtja maskave dhe distancës fizike.
Afati i aplikimit i organizuar nga FSK;
• Konkursi i rekrutimit për rekrutë të FSK-së do të jetë i hapur prej 21.10.2021 deri më 03.11.2021, ora 23:59.
Si të aplikoni;
Aplikimi dhe njoftimi për rekrut të FSK-së është online në adresën https://rekrutimi.fsk-rks.org/Apply si dhe njoftimi për shpalljen e konkursit munde ta shikoni edhe në ëeb faqen e MM-së, https://mod.rks-gov.net, ku gjendet shpallja e konkursit. Kandidatët plotësojnë formularin e aplikimit online https://rekrutimi.fsk-rks.org/Apply dhe bashkëngjisin të gjitha dokumentet tjera të kërkuara nga ky formular. Kandidatet kanë të drejtë të aplikojnë deri në ditën e fundit të përmbylljes së konkursit. Për informata plotësuese, mund të kontaktoni në nr. tel. 038- 555584 2044 dhe 038- 555584 2045 nga ora 09:00 deri 15:00.
Ministria e Mbrojtjes mirëpret aplikacione të femrave dhe meshkujve për rekrutë të FSK-së, pa dallim nga përkatësia e tyre etnike.