Von der Leyen: ”Gazprom”-i nuk po reagon ndaj rritjes së kërkesës së BE-së

0
181

Gjiganti energjetik rus ”Gazprom” deri tani nuk ka arritur t’i përgjigjet kërkesës në rritje të gazit nga Bashkimi Evropian, sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ndërsa ‘Gazprom’-i respektoi kontratat e tij afatgjata me ne, ai nuk iu përgjigj kërkesës sonë të shtuar”, deklaroi Der Leyen në Parlamentin Evropian në Strasburg.

”E gjithë bota u prek nga rritja e çmimeve të energjisë, por kishte diçka specifike në situatën evropiane”, theksoi ajo.

Kritikët e gjigantit energjetik rus dyshojnë se ky reagim mund të përpiqet të detyrojë hapjen e shpejtë të tubacionit të diskutueshëm ”Nord Stream 2” të detit Baltik, për të cilin Moska thotë se do të lehtësojë problemet e furnizimit, por ende është në pritje të miratimit nga Gjermania.

Rritja e çmimeve të energjisë do të jetë një temë në samitin e BE -së i cili do të zhvillohet nesër dhe pasnesër.

”BE importon 90% të gazit që konsumon, një fakt që e bëri bllokun të prekshëm”, theksoi Von der Leyen, duke shtuar se ”situata mund të përmirësohet me një diversifikim më të madh të burimeve të furnizimit dhe një përshpejtim të furnizimit”./