Gjilani e mund Drenicën, Ballkani merr një pikë në udhëtim

0
117

Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 10-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Gjilani ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Drenicën, me rezultat 2:1.

Për gjilanasit kjo ishte fitorja e parë pas dy barazimeve.

Të dy golat për skuadrën e Ismet Munishit i realizoi Gerhard Progni. Fillimisht shënoi në minutën e 65-të me një gjuajtje nga distanca, derisa më pas realizoi në minutën e 76-të nga penalltia.

Ndërkaq, golin e vetëm për Drenicën e shënoi Baton Zabërgja, në minutën e 83-të. Pas kësaj fitoreje Gjilani përforcon pozitën e tretë, derisa Drenica pas kësaj humbje humb pozitën e parë në renditje dhe tashmë ka kuotë të barabartë pikësh me Gjilanin, nga 17 pikë.

Në ndeshjen tjetër, Ballkani ka barazuar pa gola në Klinë në duel me Dukagjinin, epilog ky i cili i ka mjaftuar për t’u rikthyer në pozitën e liderit, me 18 pikë.