Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë përshëndet “ditën historike” në luftën kundër sëmundjeve parazitare.
Organizata Botërore e Shëndetit ka rekomanduar përhapjen e gjerë të vaksinës së parë të malaries, një veprim që ekspertët shpresojnë se mund të shpëtojë jetën e dhjetëra mijëra fëmijëve çdo vit në të gjithë Afrikën, shkruan The Guardian.
Duke e vlerësuar këtë si “një ditë historike”, drejtori i përgjithshëm i OBSH -së, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se pas një pilot – programi të suksesshëm në tre vende afrikane, vaksina RTS, S duhet të vihet në dispozicion më gjerësisht.
“Fillova karrierën time si një studiues i malaries dhe prisja me padurim ditën që do të kishim një vaksinë efektive kundër kësaj sëmundjeje të lashtë dhe të tmerrshme. Dhe sot erdhi ajo ditë, një ditë historike! Sot, OBSH po rekomandon përdorimin e gjerë të vaksinës së parë në botë kundër malaries”, tha Tedros në një konferencë shtypi në Gjenevë.
Vaksina RTS, S, e njohur edhe si Mosquirix, është zhvilluar nga kompania farmaceutike britanike GlaxoSmithKline (GSK), dhe është administruar për më shumë se 800,000 fëmijë në Ganë, Kenia dhe Malavi që nga fillimi i pilot – programit në vitin 2019.
Vaksina, e cila kaloi nëpër prova të gjata klinike, ka efikasitet të kufizuar, duke parandaluar 39% të rasteve të malaries dhe 29% të rasteve të rënda të malaries tek fëmijët e vegjël në Afrikë gjatë provave katërvjeçare.
Sidoqoftë, një studim i udhëhequr nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër (LSHTM) në muajin gusht, zbuloi se kur fëmijëve të vegjël u jepeshin vakina e tipit RTS, S dhe barna antimalariale, kishte një ulje 70% të shtrimit në spital ose vdekjeve.