David Julius dhe Ardem Patapoutian fitojnë Çmimin Nobel në Mjekësi për vitin 2021

0
274

Çmimi Nobel për vitin 2021 në Fiziologji dhe Mjekësi iu dha David Julius dhe Ardem Patapoutian për zbulimet e tyre të receptorëve për temperaturën dhe prekjen.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dy shkencëtarët me bazë në SHBA morën çmimin për përshkrimin e mekanikës sesi njerëzit perceptojnë temperaturën dhe presionin përmes impulseve nervore.

“Aftësia jonë për të ndier nxehtësinë, të ftohtin dhe prekjen është thelbësore për mbijetesën dhe mbështet ndërveprimin tonë me botën përreth nesh”, ka thënë Asambleja e Nobel në një deklaratë duke shpallur çmimin.

“David Julius përdori capsaicin, një përbërës nga specat djegës që shkakton një ndjesi djegieje, për të identifikuar një sensor në mbaresat nervore të lëkurës që i përgjigjet nxehtësisë. Ardem Patapoutian përdori qelizat e ndjeshme ndaj presionit për të zbuluar një klasë të re të sensorëve që përgjigjen ndaj stimujve mekanikë në lëkurë dhe organet e brendshme”, është thënë më tej.

 

Ndryshe, në vitin 2020, çmimi i Mjekësisë u fitua nga Harvey J. Alter, Michael Houghton dhe Charles M. Rice për zbulimin e virusit të Hepatitit C.

Çmimi Nobel për Fiziologji ose Mjekësi është dhënë 111 herë që nga viti i parë i çmimit në 1901.

Ai është ndarë nga 222 shkencëtarë, përfshirë dy çifte të martuar, por vetëm 12 gra.

Fituesit e këtij viti marrin një çmim në para prej 10 milionë Krona Suedeze (rreth 980,000 euro), një Medalje Nobel dhe një sërë gjërash të tjerash.

Por ata do të duhet të presin deri më 10 dhjetor, sepse tradita thotë se çmimet shpërndahen në një darkë gala në Stokholm.