Kushtetuesja hedh poshtë ankesën e Listës Serbe për ndarjen e ministrive

0
599

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë ankesën e Listës Serbe për ndarjen e ministrive në Qeverinë Kurti.

Lista Serbe më 29 mars ishte ankuar se Qeveria Kurti nuk ia kishte dhënë dy ministri komunitetit joshumicë serb.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se për qëllime të kushtetutshmërisë së përbërjes së qeverisë, bazuar në nenin 96 të Kushtetutës, në qeveri duhet të jenë së paku një ministër nga komuniteti serb dhe një ministër nga komunitetet e tjera jo shumicë.

“Mënyra e zgjedhjes së këtyre ministrave dallon varësisht nëse kandidati i propozuar për Ministër është deputet i Kuvendit ose jo. Për caktimin e një kandidati për Ministër nga radhët e deputetëve të Kuvendit, është i nevojshëm konsultimi me partitë, koalicionet ose grupet që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë. Ndërsa, për caktimin e një kandidati për Ministër jashtë radhëve të deputetëve të Kuvendit, është i nevojshëm miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë”.

Gjykata Kushtetuese gjithashtu theksoi se Kushtetuta përcakton që në rast se përbërja e një qeverie ka më shumë se 12 ministra, Qeveria duhet të ketë edhe një ministër të tretë “i cili përfaqëson një nga komunitetet jo shumicë në Kosovë” zgjedhja e së cilit mbetet në diskrecion të mandatarit për kryeministër.

“Gjykata tutje theksoi se, për sa i përket Ministrit të tretë, Kushtetuta i mundëson diskrecion mandatarit për Kryeministër përkitazi me radhët e komuniteteve përkatëse, nga të cilët mund të zgjidhet një Ministër i tretë, duke mos përcaktuar detyrimisht që ky Ministër duhet të propozohet/miratohet nga deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet e tjera jo shumicë, por duke kërkuar që të ndiqet procedura e njëjtë përkatësisht konsultimi/miratimi i “komunitetit në fjalë”, varësisht nëse kandidati përkatës është deputet i Kuvendit ose jo”.

Gjykata theksoi se ministri i “tretë” nga komunitetet jo shumicë, përkatësisht Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte deputet i Kuvendit i zgjedhur në zgjedhjet e 14 shkurtit 202 i deklaruar se përfaqëson një nga komunitetet tjera jo shumicë në Kuvend dhe i cili është propozuar për këtë pozitë në konsultim me deputetët që përfaqësojnë komunitetet e tjera jo shumicë në Kuvend.

“Duke marrë parasysh që kandidati përkatës ishte deputet i zgjedhur i Kuvendit, miratimi formal nga komuniteti në fjalë nuk është detyrim kushtetues, ndërsa para Gjykatës nuk kishte asnjë pretendim që deputetët që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë nuk ishin konsultuar në propozimin e këtij kandidati për Ministër, përkundër faktit që Gjykata u kishte mundësuar që të paraqesin komentet e tyre lidhur me kërkesën e dorëzuar nga parashtruesit e kërkesës”.

“Gjykata përfundimisht sqaroi që bazuar në nenin 96 të Kushtetutës, i detyrueshëm është konsultimi me ose miratimi i deputetëve që përfaqësojnë “komunitetin në fjalë”, përkatësisht deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë, varësisht nëse kandidati përkatës është deputet i Kuvendit ose jo, dhe jo shumica e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë. Në rrethanat e rastit konkret, kandidati i propozuar për Ministër ishte deputet i Kuvendit dhe për pasojë miratimi formal i tij nuk ishte detyrim kushtetues, ndërsa para Gjykatës nuk kishte asnjë pretendim që detyrimi për konsultimin e “komunitetit në fjalë” nuk ishte shteruar. Prandaj, Gjykata konstatoi që, Vendimi i kontestuar i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë nuk është nxjerrë në kundërshtim me paragrafët 3 dhe 5 të nenit 96 të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.