KFOR rrit numrin e trupave në Kosovë për ta zhvilluar ushtrimin “OPREH Level II”

0
214

Trupat e KFOR-it në Kosovë në ditët në vijim do të zhvillojnë një ushtrim duke nisur nga tash e që do të zgjasë deri në fillim të shtatorit.

Nga ky mision kanë njoftuar se për ushtrimin “OPREH Level II” do të shtohet numri i ushtarëve në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.

Një kontingjent i vogël nga Mbretëria e Bashkuar tashmë ka arritur në Kosovë më 13 gusht, për të krijuar infrastrukturën për strehimin e një kontingjenti më të madh britanik që do të marrë pjesë në këtë stërvitje.

““OPREH Level II” është ushtrim rutinor në mbështetje të misionit tonë të KFOR-it. Ky ushtrim mbahet çdo dy vjet. Trajnim përfshin qindra trupa nga vendet anëtare të NATO-s të cilat janë pjesë e Forcës Rezervë Operative të KFOR”, thuhet në kumtesë.

“Forcat shtesë mund të thirren në rast se KFOR ka nevojë për asistent për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovës. Stërvitja do të përfundojë me 5 shtator. Trajnimi do të përfshijë skenarë të kontrollit të turmës dhe trazirave, ushtrime të lirisë së lëvizjes dhe operacione të sigurisë që synojnë ruajtjen e një niveli të lartë gatishmërie. Në përfundim të stërvitjes, të gjitha forcat shtesë do të largohen nga Kosova dhe do të kthehen në vendet e tyre përkatëse”.

Kjo stërvitje do të mbahet në Gjakovë.