Kosova pranon donacionin amerikan prej 55 automjetesh ushtarake

0
377

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e pranim – dorëzimit të  55 automjeteve të blinduara ushtarake (ASV), donacion ky i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në ceremoninë që u organizua nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, folën Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i shprehu mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së vendit tonë.

“Në rrugën e rritës dhe zhvillimit të ushtrisë sonë, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm është duke luajtur partneri ynë i pazëvendësueshëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Kurti, dhe theksoi se ShBA së bashku me shtetet e tjera partnere vazhdojnë të jenë kontribues aktiv në çdo fazë të zhvillimit dhe modernizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mbështetja me automjetet e blinduara nga ShBA për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sipas kryeministrit, është vetëm njëra nga shumë fusha, ku Shtetet e Bashkuara po kontribuojnë ndjeshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit tonë.

 

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

 

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani,

I nderuar Ministër i Mbrojtjes, zotëri Armend Mehaj,
I nderuari Gjeneral Major, Enver Cikaqi,
I nderuari zëvendësministër i Mbrojtjes, zotëri Shemsi Syla,

Gjeneralë, oficerë dhe ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të Ambasadës dhe Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës,

Përfaqësues të KFOR-it dhe Ekipit këshillues të NATO-s për FSK-në,

Republika e Kosovës këto ditë është duke u përballur me sfida e vështirësi që vijnë si rezultat i pandemisë globale. Institucionet e vendit janë duke u angazhuar maksimalisht që kjo valë e radhës e pandemisë Covid-19, me variantin më të rrezikshëm Delta, të kalojë me sa më pak jetë të humbura dhe me sa më pak pasoja për qytetarët dhe ekonominë e vendit tonë. Pavarësisht kësaj gjendje të rënduar, Republika jonë, vazhdon të mbetet e përkushtuar që të punojë, bashkë me aleatët dhe partnerët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale.

Vendi ynë po mirëpret refugjatët afganë, po mbështetë ushtarakisht paqen në Lindjen e Mesme si dhe po mbështetë vendet e rajonit në përballimin me fatkeqësitë natyrore, siç ishte rasti me zjarret në Republikën e Shqipërisë. Forca e Sigurisë së Kosovës është duke luajtur rol të rëndësishëm e duke dhënë kontribut të çmuar në këto zhvillime. E, kjo për faktin që kjo Forcë vazhdon të zhvillohet e ngritet në përputhje me vlerat dhe standardet që promovon dhe aplikon NATO.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës krahas angazhimit për mbështetjen e institucioneve dhe qytetarëve të vendit tonë janë duke punuar pandalshëm për ngritjen e kapaciteteve luftarake me qëllim ndërtimin e aftësive të reja ushtarake për mbrojtjen e territorit, përkrahjen e autoriteteve civile të vendit dhe mbështetjen e paqes në botë.

Në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të ushtrisë sonë, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm është duke luajtur partneri ynë i pazëvendësueshëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ShBA-të së bashku me shtetet tjera partnere vazhdojnë të jenë kontribuues aktiv në çdo fazë të zhvillimit dhe modernizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mbështetja me automjete të blinduara nga ShBA për Forcën e Sigurisë së Kosovës është vetëm njëra nga shumë fusha, ku Shtetet e Bashkuara po kontribuojnë ndjeshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe të popullit tonë.

Me këtë rast në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës shprehë falënderimet më të sinqerta dhe u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së vendit tonë.

Qeveria e Kosovës, mbrojtjen e territorit dhe sovranitetin e Republikës sonë e sheh si një interes vital shtetëror dhe, në këtë aspekt, përkrahjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës e trajton me prioritet të veçantë.

Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politikat e mbrojtjes, të përditësojmë kornizën ligjore dhe të ndërtojmë kapacitetet operacionale të FSK-së në atë drejtim që të jenë të përputhshme dhe të ndërveprueshme me NATO-n dhe me qëllim përafrimin dhe anëtarësimin në këtë organizatë.

Zbarkimi i përbashkët i pjesëtarëve të FSK-ë me pjesëtarët e ushtrisë amerikane në Kuvajt, pjesëmarrja dhe mikpritja si vend nikoqir i ndërmarrjes më të madhe ushtarake “DEFENDER EUROPE 2021”, ka dëshmuar që Forca e Sigurisë së Kosovës i k amë të mëdha aftësitë se sa mundësitë, prandaj vullnetit tuaj të paepur me të cilin jeni të pajisur si ushtarakë, ne po ja bashkëngjesim, bashkërisht edhe pajisjet e tjera ushtarake siç janë këto automjete moderne.

Andaj, i nderuar ministër Mehaj dhe ju ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Uroj që këto automjete të blinduara të përdoren në mënyrën më të mirë në shërbim të ruajtjes së interesave të vendit dhe sigurisë e stabilitetit në vend, në rajon dhe më gjerë.

Njëkohësisht, edhe një herë, falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara për këtë donacion me shumë vlerë për forcën tonë.

Ju faleminderit.