94 subjeke politike aplikojnë për certifikim në KQZ për zgjedhjet lokale

0
62

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 94 subjekte politike kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 922.

“Gjatë periudhës dymujore, 17 qershor – 16 gusht, në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 4,922 kandidatë, prej të cilëve 165 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 4,757 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale”, ka thënë Elezi.

Elezi tutje ka shpjeguar që komisioni do të shqyrtojë materialet për të bërë pastaj certifikimin e kandidatëve.

“KQZ-ja do të marrë vendim për certifikim ose jo të ndonjë kandidati apo subjekti politik deri më 1 shtator. Gjithashtu besoj që është me rëndësi të përmendet që në rast të mos certifikimit  të ndonjë kandidati, apo subjekti politik, pala e pakënaqur mund t’i drejtohet PZAP-it si dhe Gjykatës Supreme”.

Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, do të bëhet më së largu deri më 8 shtator.