“Shumica e grave bëjnë dy orare punësh; atë në profesion dhe atë të punëve të shtëpisë”

0
163

Nga Mimozë Bytyqi

Kasollja është e vendosur në një gropë rëre dhe rëra depërton kudo, gruaja, zonja e asaj shtëpize mban një çadër letre mbi kokë derisa hahet, në mënyrë që rëra të mos futet në ushqim, por rëra ndihet megjithatë në gojë, kërcet nëpër dhëmbë, duke u lagur me djersë, rëra ngjitet bezdisshëm në trup. Natën, asaj i duhet të mbledhë rërën që shtëpia të mos mbulohet… Gruaja mbledh rërën në kanaçe, e derdh pranë vendit ku varet shkalla e litarit, pastaj ul shportat dhe kanaçet ngjiten. Eshtë më lehtë ta heqësh rërën natën kur është e lagur; ditën është aq e thatë sa shembet menjëherë. Gruaja thotë se rëra nuk pushon dhe nuk jep pushim. Kështu do t’i përshkruante pak a shumë Kobo Abe punët shtëpiake rutinore të gruas japoneze në romanin e tij “Gruaja e groposur në rërë”, ku në një fshat imagjinar të krijuar prej tiji, fshatarët jetojnë nëpër kasolle të futura në gropa rëre, e cila gjatë tërë ditës bie vazhdimisht, duke rrezikuar në këtë mënyrë që t’i mbulojë plotësisht ato dhe për këtë arsye gjatë gjithë netëve rëra duhet të largohet me lopata, për të filluar të nesërmen gjithçka nga e para…!

Saherë na ka ndodhur gjatë jetës sonë që të shohim shtresën e pluhurit mbi sipërfaqen e ndonjë mobileje shtëpiake dhe instikitivisht të kemi vizatuar me gisht figurën në formë zemre? Ishte një gjest talljeje për t’ia tërhequr vërejtjen vetes dhe anëtarëve tjerë të familjes se, pluhuri duhej pastruar!

Dikur feministja dhe filozofja e njohur Simon de Bovoar ishte shprehur: “Punët e shtëpisë janë si tortura e Sifizit, me përsëritjen e tyre të pafund: e pastra bëhet e ndotur, e ndotura bëhet e pastër, pa pushim, ditë pas dite.” Dhe vërtetë, kjo është kështu. Pluhuri bie çdo ditë mbi mobilje dhe dysheme, qime flokësh gjithandej apo siç do ta përshkruante Nabokov tek Lolita një detaj të tillë shpifës kur përshkruan banjon e shtëpisë, në të cilën do të jetonte me qera: “…mbi vaskë kishte rënë një qime floku në formë pikëpytjeje… “dhe aq janë neveritëse këto rënie nga trupat tanë saqë thithësja elektrike duhet të përdoret çdo ditë.

Rroba të palara përherë në kosh, ndërsa zhurma lavatriqeve fillon të dëgjohet nga muret e pothuajse të secilit apartament pas orës dhjetë të mbrëmjes. Pluhur, rroba të palara, enë, oh aq shumë enë të zhytura çdo ditë tek lavamani! Shumica e grave bëjnë dy orare punësh; atë në profesion dhe atë të punëve të shtëpisë. Kjo përsëritet çdo ditë, punë shtëpiake që nuk mbarojnë kurrë dhe nëse rastisë që të mos preket me dorë dy a tri ditë asnjë nga punët e tilla, shtëpia duket sikur ka kollapsuar nga mosmirëmbajtja, nga rrëmuja dhe fëlliqësia!
Sa e dhimbshme, e padrejtë, mosmirënjohëse është që këto punë vlerësohen aq pak nga gjinia tjetër sepse kur kryhen edhe me zellin më të madh, ato vërehen fare pak, ndërsa kur nuk bëhen qoftë dhe për një ose dy ditë të vetme, krijohet përshtypja se nuk janë bërë kurrë! Dhe nuk ka pagë për to, punët e amvsërisë madje dhe përqeshen shpeshherë, ndërsa impenjimi fizik rreth tyre është aq i madh sa këtë e dëshmojnë dhe statistikat mjekësore për operimet e kyqeve të këmbëve, ku gratë kryesojnë dukshëm. Ndërsa edhe në rastet kur zonjave të shtëpisë standardi i mirë jetësor ua lejon punësimin e ndonjë individi si shërbyes për punë shtëpie, dihet që personi në fjalë në nëntëdhjetenëntë përqind të rasteve i përket gjinisë femërore dhe kjo është kështu kudo në botë.

“Kjo torturë Sifizi” siç e cilësonte Bovoar, iu merr aq shumë kohë grave, ndërsa në tregun e punës dhe në shkollim duhet të garojnë si të barabarta me burrat, duke mos u llogaritur asnjëherë orët e shpenzuara në punë amvisërie. Eshtë i njohur një proverb sa banal aq edhe brutal në vërtetësinë e tij pikërisht mbi këtë çështje, kur gruaja pasi kishte pastruar e shkëlqyer çdo detaj nëpër shtëpi, e entuziasmuar kishte pyetur burrin e sapoardhur nga puna, në ishte i kënaqur që çdo gjë po shkëlqente nëpër shtëpi? Ndërsa ai ishte përgjigjur se, gjithçka po shkëlqente për mrekulli dhe se nuk kishte vend ku do të mund të pështyente, përveç asaj vet, e cila dukej e rraskapitur dhe e pistë nga kryerja e punëve kishte bërë atë ditë!

Kur analizojmë mundimin e përdishëm “shtëpiak” të gruas japoneze të Kobo Abes, “torturën e Sifizit” të lidhur në këtë kontekst nga Bovoar apo dhe “qime flokun” neveritshëm të rënë mbi vaskë tek vepra e Nabokovit, ndjejmë se çdo grua gjen veten në këto përshkrime, gjen nënën e saj, motrën, tezen, hallen apo shoqen, diku, në mjegullnajën e kujtimeve të shtresëzuara në mendjet tona, shohim si silueta ato dhe veten, duke u orvatur nëpër pluhurin që bie dhe nuk ndalon kurrë, rrjeta marimangash që kacavirren qosheve dhe ne përpiqemi që t’i largojmë, zhurma e lavatriqeve me të cilën biejmë në gjumë dhe pasqyrat tërë njolla që duhet fshirë aq shpesh, për të parë pastaj në to imazhin tonë, atë imazh gruaje të cilin pluhuri mund edhe ta përpijë sepse vazhdimisht bie pa pushuar kurrë, prandaj shtëpia kërkon mirëmbajtje përditë, çdoherë, gjithmonë, sepse, “mbi fshesa fluturojnë vetëm shtrigat”, gratë e zakonshme duhet të pastrojnë me to./supergrate.net/