Nga java e ardhshme qytetarët mund të zgjedhin nëse do të marrin vaksinën AstraZeneca apo Pfizer

0
248

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka njoftuar se nga java e ardhshme qytetarët mund të zgjedhin se cilën lloj të vaksinës kundër coronavirusit do të marrin, Pfizer apo AstraZeneca.

MSH njofton se ka vaksina të mjaftueshme, duke lutur qytetarët që të caktojnë terminin për vaksinim.

“Ministria e Shëndetësisë inkurajon qytetarët e vendit që të aplikojnë për marrje të vaksinës kundër COVID-19. Duke qenë që stoku aktual me vaksina kundër COVID-19 është i qëndrueshëm, Komiteti për imunizim kundër COVID-19 vendosi që duke filluar nga java e ardhshme qytetarëve t’u ofrohet mundësia që të përcaktohen për llojin e vaksinës që do ta marrin (në konsultim me mjekun e ekipit të vaksinimit), për aq kohë sa ekziston kjo mundësi”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se ” qytetarëve u bëhet thirrje që t’i qasen platformës eKosova për caktim të termineve për vaksinim kundër COVID-19″.

Ndryshe, në 24 orët e fundit janë dhënë 5.438 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 250.658 doza të vaksinës.

Deri më sot 63.301 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.