Kurti takohet me Kamberin, flasin për të drejtat e shqiptarëve në Serbi

0
78

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik dhe shefin e Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Kurti dhe Kamberi biseduan për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në viset e tjera në Serbi, njofton Klankosova.tv.

Në takim u diskutua për të drejtat që i kanë shqiptarët përmes Këshillit Nacional Shqiptar, si edhe rrudhjen e tyre nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, nga janari i vitit 2014.

Mes tjerash Kurti dhe Kamberi diskutuan edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, për dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Temë e bisedës ishin edhe dy samitet e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtura këtë muaj në Tiranë dhe në Vjenë.

Takimi me Kamberin është në vazhdën e takimeve që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.