Kryeministri i ri i Izraelit zotohet të bashkojë kombin

0
470

Naftali Bennett, kryeministri i ri i Izraelit është zotuar se do të bashkojë kombin e shkatërruar nga katër palë zgjedhje, në dy vjet blloade politike.

Ai tha se qeveria atje do të punojë për të gjithë njerëzit, duke shtuar se përparësi do të kenë reformat në arsim, shëndetësi si dhe zvogëlimi i burokracisë.

“Kjo nuk është një ditë zie. Ka një ndryshim të qeverisë në një shtet demokratik, kjo është e gjitha. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi në mënyrë që askush të mos ketë frikë. Dhe unë u them atyre që synojnë të festojnë sonte, mos vallëzoni mbi dhimbjen e të tjerëve. Ne nuk jemi armiq, ne jemi një popull”, u shpreh Bennett në fjalimin e tij, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa përfaqësuesit e palestinezëve e kanë shpërfillur qeverinë e re të Izraelit.

“Kjo është një çështje e brendshme izraelite. Pozicioni ynë ka qenë gjithmonë i qartë, ajo që duam është një shtet palestinez në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin si kryeqytetin e tij”, tha një zëdhënës i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas.

Në anën tjetër zëdhënësi i Hamasit, grupit islamik që kontrollon Gazën, u shpreh se ky është një okupim dhe një entitet kolonial, të cilit ata duhet t’i rezistojnë me forcë për të marrë përsëri të drejtat e tyre.

Bennett, udhëheqësi i partisë Yamina, do të jetë kryeministër deri në shtator 2023, si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit. Nacionalisti i krahut të djathtë do të drejtojë një koalicion të paparë të partive, i mbështetur nga deputetët, transmeton Klankosova.tv.

Pushtetin pastaj do t’ia dorëzojë Yair Lapid, kreut të partisë qendrore Yesh Atid, për dy vjet të tjerë.

Ndërkaq, Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë i Izraelit do të mbetet kreu i partisë së krahut të djathtë Likud dhe do të bëhet udhëheqës i opozitës.

Pas votimit Netanyahu shkoi tek Bennett dhe ia shtrëngoi dorën.