Operacion gjigant i Europol, 800 të arrestuar

0
595

Me anë të një sistemi pajisjesh të koduara, në mënyrë që rrjeteve të krimit të organizuar t’u ruheshin të dhëna inkriminuese, Europol arriti të arrestojë 800 persona në më shumë se 16 vende, deklaruan zyrtarët e tij.

Europol e quajti atë “një nga operacionet më të mëdha dhe më të sofistikuara të policisë deri më tani në luftën kundër veprimtarisë së koduar kriminale” dhe përfshinte bashkëpunimin e zyrtarëve në të paktën 19 vende, përfshirë Holandën, Suedinë dhe SHBA.

”I quajtur ‘Greenlight’ ose ‘Trojan Shield’, operacioni ishte më i madhi i këtij lloji në histori”, deklaroi Europol.

Që nga viti 2019, zyrtarët amerikanë dhe australianë krijuan një kompani të quajtur ANOM, e cila është rritur në një rrjet prej 12 000 pajisjesh të koduara të përdorura nga më shumë se 300 organizata kriminale në më shumë se 100 vende, të cilat ruanin të dhëna për operacionet e tyre atje.

Sipas Europol, aksioni çoi në arrestime të cilat përfshinin 700 kontrolle shtëpish në 16 vende.

Gjatë operacioneve, hetuesit sekuestruan 8 tonë kokainë, 22 tonë kanabis dhe rrëshirë kanabisi, 2 tonë drogë sintetike, 6 tonë përbërës të drogës sintetike, 250 armë zjarri, 55 automjete luksoze dhe mbi 48 milionë dollarë në monedha të ndryshme./ATSH