OBSH: Vetëm një lloj i variantit Delta është shqetësues

0
153

Vetëm një nënlinjë e variantit Delta tani klasifikohet si “shqetësuese” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ndërkohë që dy të tjerët nuk shihen si problematik.

Virusi B.1.617, i cili u shfaq për herë të parë në Indi, u nda në tre nënvariante, por OBSH tha në përditësimin e fundit se “është bërë e qartë se rreziqe më të mëdha të shëndetit publik aktualisht janë të lidhura me B.1.617.2, ndërsa janë vërejtur nivele më të ulëta të transmetimit të linjave të tjera.”

B.1.617.2 është i vetmi që mbetet i kategorizuar si një variant shqetësimi.

OBSH tha se vazhdon të “vëzhgojë ndjeshëm rritjen e transmetueshmërisë dhe një numër në rritje të vendeve që raportojnë shpërthime të lidhura me këtë variant”.

I njohur më parë si varianti indian, ai u riemërtua si varianti Delta.

Vendimi për të shkuar në këtë sistem emërtimi erdhi pas muajsh diskutimesh me ekspertë në mënyrë që të shmangej diskriminimi ndaj popujve ku shfaqen variantet e reja. OBSH tha se emërtimet e reja nuk zëvendësojnë emrat ekzistues shkencorë që përfshijnë numra, shkronja romake dhe pika, të cilat përcjellin informacion të rëndësishëm shkencor dhe do të vazhdojnë të përdoren në kërkime.

OBSH-ja emërtoi katër variantet e njohura për publikun si variantet e Mbretërisë së Bashkuar / Kentit (B.1.1.7), Afrikës së Jugut (B.1.351), Brazilit (P.1) dhe Indisë (B.1.617.2). Atyre iu dhanë përkatësisht shkronjat Alpha, Beta, Gamma dhe Delta, për të pasqyruar rendin e zbulimit. Çdo variant i ri do të ndjekë këtë model.