Sonte, Marco Castelli ekzekuton soundtrack për L’Inferno, filmin e parë italian pa zë nga viti 1911

0
31
Kino ARMATA
E premte, 4 qershor 2021
19:00h
MARCO CASTELLI (Itali)
Live Soundtrack për filmin “L’Inferno” (1911)
Hyrja: FALAS
Kjo performancë realizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë, Istituto Italiano di Cultura në Tiranë dhe Komunën e Prishtinës.
L’Inferno, një film pa zë i vitit 1911 nga Francesco Bertolini, Giuseppe de Liguoro dhe Adolfo Padovan, prodhuar nga Milano Films, është filmi i parë me metrazh të gjatë në historinë e kinematografisë italiane.
Përshtatja e Kantikës së Parë të Komedisë Hyjnore, ka qenë prej kohësh në dispozicion vetëm në kopje të dëmtuara, të paplota apo të censuruara. Inferno arriti të kthehej i plotë, me inkuadrim të saktë të fotografive, me plotësi drite dhe ngjyrash, falë një punë të gjatë restauruese, nën kujdesin e Cineteca di Bologna. Njëqind vjet më vonë, shikuesi e gjen veten të mbështjellë sërish nga shkretimi i tokave të shqyera nga varret e hapura, nga flakërima të papritura, nga ngurtësimi prej tmerreve, nga mprehtësia e shkurreve të thata dhe rrëshqanorëve të mallkuar, që zvarriten pa kokë e pa gjymtyrë, nga tiparet e çuditshme të krijesave mitologjike, nga metamorfozat monstruoze.
Marco Castelli, i cili për vite me radhë zhvillon aktivitetin e tij jo vetëm në botën e xhazit por edhe në fushën e teatrit, baletit dhe performancës bashkëkohore, duke u bërë me kalimin e viteve specialist i kompozimit dhe ekzekutimit të muzikës skenike, propozohet me një “solo” sax + live eletronics për kolonën zanore të kësaj kryevepre të filmit pa zë italian, duke e shoqëruar publikun në një botë zanore, e cila i bën imazhet e pabesueshme të filmit edhe më emocionuese, dhe në të njëjtën kohë iu dhuron atyre një modernitet të beftë.
Marco Castelli, saksofonist dhe kompozitor, gjatë karrierës së tij ka eksperimentuar me stile dhe gjuhë të ndryshme. Ai shquhet mes muzikantëve italianë të xhazit për aktivitetin e tij mbresëlënës ndërkombëtar në festivale dhe turne në të gjithë botën: në Amerikën e Jugut, Veriut dhe ishujt: SHBA, Kanada, Meksikë, Brazil, Argjentinë, Peru, Uruguaj, Guatemalë, Antile Hollandeze, Xhamajkë, në Afrikë: Marok, Algjeri, Tanzani, Senegal, Katar, Botwana, Ishulli Reunion; në Lindjen e Mesme dhe Azi: Rusi, Izrael, Jordani, Singapor, Tajlandë; dhe praktikisht në të gjitha vendet evropiane, duke marrë pjesë në festivale të rëndësishëm, si Montreal Jazz Festival, Singapore Arts Festival, Bangkok Italian Festival, Copenhagen Jazz Festival, Athens Jazz, San Sebastian dhe shumë të tjerë.
Muzikant eklektik, Marco Castelli është kompozitor baleti, teatri dhe video, drejtor i Orkestrës së Casa della Musica në Trieste, drejtor artistik i Anelli Records dhe prodhues muzikor.