Orlando uron Festën e Republikës Italiane: Kosova dhe Italia, miqësi historike

0
21

Ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, për Festën e Republikës Italiane, duke thënë uruar për ditë më të mira ku Italia dhe Kosova do të përparojnë drejt fatit të tyre të përbashkët, së bashku me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ai ka thënë se edhe këtë vit e pati të pamundur që t’i shkëmbejë urimet personalisht me bashkatdhetarët e tij në Kosovë, për shkak të pandemisë, për të cilën tha se është dobësuar por akoma nuk është mundur plotësisht, njofton Klan Kosova.

“Megjithatë, fryma e këtij dy qershori është më ndryshe nga ajo e vitit të kaluar. Në Itali, në Kosovë dhe në botë, kemi filluar rrugëtimin që gradualisht do të na kthejë në normalitet. Shpresojmë në një normalitet më të qëndrueshëm dhe të vetëdijshëm, më të gatshëm për të përballuar së bashku sfidat e së nesërmes”.

“Siç thotë Presidenti i Republikës, kjo është koha për rinisje, për rimëkëmbje, koha për të menduar dhe planifikuar të ardhmen së bashku. Lodhja nga shkëputja e zgjatur dhe frika, më në fund i lënë vend shpresës. Edhe gjatë muajve të vështirë që kaluam, vendosmëria jonë nuk ka munguar kurrë. Italia dhe Kosova kanë forcuar miqësinë historike që na lidhë. Në sektorin politik, ekonomik, kulturor dhe të inovacionit, ka shumë projekte të realizuara dhe të programuara përmes të cilave ne ndjekim vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe liberale”.

Orlando në urimin e tij thotë se që nga fillimi Italia ka qenë përkrah Kosovës në përballjen me pandeminë dhe vazhdon të jetë me një nga kontributet “më bujare” në programin Covax.

“Me kontingjentin tonë ushtarak në Misionin e KFOR-it ne kontribuojmë në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë. Ne i qëndrojmë përkrah Kosovës edhe duke inkurajuar programin ambicioz të reformave që do të sjellë këtë vend edhe më afër fatit të vet evropian dhe atlantik”.

“Do të nevojiten zgjedhje të guximshme: në zbatimin konkret të shtetit të së drejtës, në mbrojtjen e komuniteteve joshumicë dhe trashëgimisë kulturore dhe mbi të gjitha në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

Gjithashtu, Orlandoi duke cituar ministrin e Jashtëm italian, Di Maio, thotë se status quo-ja nuk i sjell dobi askujt, përkundrazi, ushqen tensione dhe pakënaqësi që reflektojnë negativisht në të gjithë rajonin.

“Dhe në këtë frymë shprese e guximi, ju uroj të gjithëve Gëzuar Festën e Republikës, i sigurt që na presin ditë më të lumtura, në të cilat Italia dhe Kosova do të përparojnë drejt fatit të tyre të përbashkët, së bashku me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Rroftë Italia!”.