Gjermania njeh si gjenocid krimet koloniale të kryera në Namibi

0
27

Berlini njeh si gjenocid mizoritë e kryera nga Gjermania koloniale kundër grupeve etnike Herero dhe Nama, në atë që tani është shteti afrikan i Namibisë.

Historianët thonë se rreth 65 000 nga 85 000 namibianë të grupit etnik Herero dhe të paktën 10 000 nga 20 000 të grupit etnik Nama u vranë nën puahtetin e Perandorisë Gjermane në atë që atëherë quhej Afrika Jugperëndimore Gjermane, nga viti 1884 deri në vitin 1915.

“Si një gjest i njohjes për vuajtjet e pamata të shkaktuara viktimave, ne duam të mbështesim Namibinë dhe pasardhësit e viktimave me një program të konsiderueshëm prej 1,1 miliardë euro për rindërtimin dhe zhvillimin”, deklaroi ministri i Jashtëm Heiko Maas.

Delegacionet nga të dy vendet kishin rënë dakord më parë për një deklaratë politike pas gati gjashtë vjet negociatash, me të dy qeveritë të dakordësuara, por dokumenti nuk është nënshkruar ende.

Presidenti Frank-Walter Steinmeir gjithashtu do të kërkojë zyrtarisht falje gjatë një ceremonie në parlamentin namibian.

Shuma prej 1,1 miliardë eurosh do të përdoret kryesisht për të mbështetur projekte në zonat ku banojnë grupet etnike Herero dhe Nama./ATSH