Turqia është e gatshme për sezonin veror turistik me masa të larta sigurie

0
449

Turqia, si një nga udhëheqësit globalë të turizmit të sigurt, është e gatshme për sezonin veror 2021 me masa të rritura të sigurisë, Ambasada e Republikës së Turqisë në Shkup, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Certifikata e Turizmit të Sigurt e cila u lëshua në qershor 2020 dhe që synonte të konfirmonte që të gjitha lokacionet me të cilat kanë kontakt turistët duke përfshirë aeroportet, akomodimin, restorantet, kafenetë, mjediset kulturore, të artit dhe kongresit, objektet për turizmin detar dhe parqet tematike, janë të sigurta. Certifikata iu dha më shumë se 9.800 bizneseve në vitin e dytë nga fillimi i saj”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu shtohet se duke filluar nga viti 2021, Turqia e ka bërë këtë certifikatë të detyrueshme për të gjitha objektet e akomodimit me një kapacitet prej 30 dhe më shumë shtretër. Turqia gjithashtu u ka dhënë përparësi punonjësve të turizmit nën programin e saj kombëtar të vaksinimit dhe është gati për sezonin e verës me standarde të larta sigurie.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, foli në lidhje me përgatitjet për sezonin veror 2021 në ngjarjen e cila u ndoq nga ambasadorët e misioneve të huaja në Turqi nga 21 deri më 23 maj.

“Në vitin 2020, ne mirëpritëm 16 milionë turistë në vendin tonë. Siguria e turizmit ishte prioriteti ynë kryesor vitin e kaluar me një program certifikimi që është bërë një nga praktikat më të mira në botë. Me praktika dhe masa të sigurta, efektive dhe të disiplinuara që kemi zbatuar, programi ynë i certifikimit është bërë një nga implementimet më të suksesshme në botë dhe kemi pasur një sezon të suksesshëm”, tha Ersoy.

Ai gjithashtu theksoi se janë rritur inspektimet për t’u siguruar që bizneset e autorizuara të jenë në përputhje me rregullat, duke shtuar se si pjesë e programit kombëtar të vaksinimit, më shumë se 27 milionë shtetas turq janë vaksinuar deri më tani, në të cilin përparësi kanë punonjësit e turizmit.

“Turqia ishte vend udhëheqës në turizmin e sigurt vitin e kaluar. 2021 do të jetë një vit i rritjes së sigurisë. Ne jemi gati për sezonin veror 2021 me më shumë se 10.000 objekte turistike në të gjithë Turqinë”, thuhet në deklaratë.