Shtëpia e Bardhë: Biden dhe Putin do të takohen më 16 qershor

0
41

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, muajin e ardhshëm do të zhvillojnë takimin e tyre të parë ballë për ballë.

Pas rreth një muaj diskutimesh midis Uashingtonit dhe Moskës për kohën dhe vendin, është vendosur që takimi midis presidentit amerikan dhe atij rus do të mbahet më 16 qershor në Gjenevë.

“Liderët do të diskutojnë për gamën e plotë të çështjeve urgjente, përderisa ne synojmë të rikthejmë parashikueshmërinë dhe stabilitetin në marrëdhëniet SHBA-Rusi”, tha në njoftim Jen Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Takimi do të mbahet si pjesë e udhëtimit të parë ndërkombëtar të presidentit Biden, ku ai do të vizitojë Europën për takime me aleatët, përfshirë samitin G7 në BM që do të mbahet nga 11 deri në 13 qershor, si dhe shumë takime me partnerët e NATO-s dhe Bashkimit Europian (BE) në Bruksel më 14 qershor.

Samiti vjen mes problemeve në rritje të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Rusisë, përfshirë një sulm kibernetik për të cilin SHBA fajëson Rusinë që kompromentoi qeverinë dhe rrjetet e korporatave.

SHBA vendosën sanksione ndaj Rusisë dhe dëbuan diplomatët e saj në përgjigje të sulmit dhe vazhdimisht kanë kritikuar Moskën për burgosjen e liderit të opozitës ruse, Alexey Navalny.

Presidenti Putin propozoi takimin në muajin prill./atsh