Qeveria miraton nismën që i lejon Kosovës dhe Bosnjës udhëtimin vetëm me letërnjoftime

0
67

Qeveria e Kosovës unanimisht ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovvinën, Maqedoninë e Veriut, Malin të Zi dhe Serbinë.

Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës që për herë të parë të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës me letërnjoftim biometrik për një periudhë të caktuar, njofton Klan Kosova.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në mbledhjen e Qeverisë ka prezantuar draft-marrëveshjen, të cilën e konsideroi tejet të rëndësishme.

“Më lejoni t’ju prezantoj nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për lirinë e lvëizjes dhe qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovvinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë. Ky draft-marrëveshje është në frymën e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit rajonal si rezultat i zotimeve të gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes të mbajtur në nëntor 2020 ku u nënshkruan dy deklarata, ajo për tregun e përbashkët rajonal dhe deklarata për agjendën e gjelbër. Ky samit është vazhdimësi i procesit të Berlinit”.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i kushteve për hyrje, kalim transit dhe qëndrim afatshkurtër me letërnjoftim biometrik të qytetarëve të palëve të përfshira në marrëveshje. Si rezultat, qytetarët e palëve të përfshira në marrëveshje do të kenë të drejtë që lirshëm të kalojnë dhe të qëndrojnë në territorin e palëve për periudhën kohore të përcaktuar në këtë marrëveshje. Si e tillë, marrëveshja parasheh që palët do të thjeshtësojnë procedurat administrative për hyrjen, transit dhe qëndrimin e shkurtër të qytetarëve me letërnjoftim biometrik”.

“Kjo marrëveshje do t’i mundësojë qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës që për herë të parë të kenë mundësinë të lëvizin në territorin e njëra-tjetrës vetëm me letërnjoftim biometrik”.