Murati: Do ta rikthejmë rregullsinë dhe t’i eliminojmë metodat që dëmtojnë buxhetin

0
36

Në Konferencën e mbajtur sot për media ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati theksoi se në kuadër të një fushate kanë ndërmarrë disa veprime për rikthimin e rregullsisë dhe eliminimin e metodave apo veprimeve që dëmtojnë buxhetin e shtetit ose konkurrencën e lirë qoftë përmes futjes së parave të pista në treg apo përmes veprimeve të tjera të dyshimta. 

Ministri Murati theksoi se në kuadër të kësaj fushate mund të cekim raportimet që janë bërë javën e fundit ku kishim rastin e arrestimit të 10 zyrtarëve doganorë në kuadër të dy operacioneve, për kontrabandimin e duhanit dhe për kontrabandimin e barnave. Këto raste janë zbuluar si rezultat i punës që ka bërë trupa hetimore brenda Doganës së Kosovës. 

Ai gjithashtu theksoi se me fillimin e mandatit kemi ndërmarrë edhe operacione të tjera për të identifikuar kontrata që janë pa mbulesë ku kemi kërkuar nga të gjitha organizatat buxhetore që të na njoftojnë për kontratat të cilat janë pa mbulesë apo alokim buxhetor në mënyrë që të kemi një inventarizim dhe të shohim se cilat organizata buxhetore e kanë tejkaluar hapësirën fiskale dhe kanë nënshkruar kontrata të tilla që krijojnë obligime pa mbulesë për buxhetin e vendit. 

Ministri Murati, po ashtu njoftoi  se kanë identifikuar disa transfere të dyshimta ku disa prej tyre janë identifikuar prej barazimit që është kërkuar nga organizatat buxhetore, ku kemi një organizatë buxhetore prej të cilës kur është kërkuar barazimi jemi njoftuar që ka pasë pagesë të dyfishtë dhe jemi duke u marrë me këtë rast. 

“Ka edhe raste të tjera kur ka pasë sinjalizues për organizata të tjera buxhetore që na kanë njoftuar për pagesa të parregullta dhe në të gjitha këto raste kemi ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë që na lejohet si ekzekutiv në mënyrë që të vihet rend dhe rregull. Kjo nuk do të mjaftohet vetëm në aspektin financiar, por keqbërësit do t’i ndjekim deri në fund.

Ndërsa në kapacitetin e kryesuesit të Bordit të Njësisë së Inteligjencës Financiare ju njoftoj se është ngrirë edhe një shumë rreth 1 milion euro, mjete të cilat dyshohet që kanë të bëjnë me shpërlarje të parave dhe financim të terrorizmit”, ka thënë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati.