Franca propozon rezolutë Këshillit të Sigurimit të OKB për Gazën

0
19

Franca paraqiti një rezolutë në OKB që synon një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, në koordinim me Egjiptin dhe Jordaninë, bëri të ditur Elysée.

Ndërkohë, SHBA bllokoi një deklaratë mbi konfliktin izraelito-palestinez.

Ambasadori kinez në OKB, Zhang Jun, theksoi se ai e kishte dëgjuar propozimin dhe se “Kina mbështet patjetër përpjekjet për t’i dhënë fund krizës”.

”Presidenti francez, Emmanuel Macron, mori pjesë në një takim trepalësh me presidentin egjiptian Al Sisi dhe mbretin e Jordanisë, ku u vendos që të nisë një iniciativë humanitare për popullatën civile të Gazës”, shtoi pallati presidencial.

Burime franceze theksuan se Egjipti dhe Jordania “aktualisht janë në paqe me Izraelin dhe janë protagonistë me ndikim”.

Të tre qeveritë kanë “rënë dakord për një ndërprerje të lëshimeve të raketave, një armëpushim dhe një rezolutë nga Këshilli i Sigurimit të OKB mbi çështjen”.

Uashingtoni beson se një deklaratë publike nga Këshilli i Sigurimit i OKB nuk do të ndihmonte në qetësimin e tensioneve midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Po ashtu, edhe presidenti amerikan, Joe Biden ka shprehur mbështetjen për një armëpushim./ATSH