SHBA do të eksportojë 20 milionë doza vaksinash

0
58

Shtetet e Bashkuara të Amerikes do të eksportojnë 20 milionë doza të vaksinave Covid-19 në vendet e tjera deri në fund të qershorit, përveç 60 milionë dozave të vaksinës AstraZeneca që administrata tashmë i ka dërguar në Kanada dhe Meksikë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Administrata do të dërgojë vaksinat e prodhuara nga Moderna, Pfizer dhe Johnson & Johnson jashtë shtetit.

Masa vjen ndërsa SHBA përballen me presion për të ndarë furnizimin e tyre të vaksinave me pjesën tjetër të botës për të ndihmuar t’i përgjigjen pandemisë globale dhe me uljen e kërkesës për vaksina në vend.

”Rastet e Covid-19 kanë rënë në të 50 shtetet”, deklaroi presidenti Biden.

Deri sot, 60% e amerikanëve të rritur mbi 18 vjeç ka marrë të paktën një dozë të vetme.

“Ne e dimë që Amerika nuk do të jetë kurrë plotësisht e sigurt derisa pandemia globale të jetë nën kontroll”, tha Biden.

”SHBA ka rezervuar 300 milionë doza të vaksinave Pfizer dhe Moderna dhe 200 milionë doza të vaksinave Johnson & Johnson, kështu që Amerika është në rrugën e duhur për të pasur më shumë doza sesa banorët e saj”, theksoi ai./ATSH