Europa përshkallëzon rihapjen

0
81

Shkollat, bizneset dhe udhëtimet filluan sërish pas muajsh kufizime në disa vende europiane, nën vëzhgimin e kujdesshëm të qeverive.

Fushatat e vaksinimit të kryera në mënyrë aktive në disa vende perëndimore u kanë mundësuar autoriteteve të rihapin ekonomitë e tyre dhe të heqin kufizimet individuale.

Në Britaninë e Madhe, vendi më i prekur në Europë me më shumë se 127 000 të vdekur, autoritetet shëndetësore ulën nivelin e gatishmërisë për pandeminë, nga katër në tre, në një shkallë me pesë nivele, ndërsa kryeministri Boris Johnson konfirmoi lehtësimin e kufizimeve.

Ky hap i ri, i treti në vend, do të hyjë në fuqi më 17 maj.

Britanikët do të mund të takohen në vende të mbyllura me një maksimum prej gjashtë personash ndërsa pub-et dhe restorantet do të jenë në gjendje t’u shërbejnë klientëve të tyre edhe brenda.

Në Spanjë, të dielën iu dha fund gjendjes së jashtëzakonshme shëndetësore.

Banorët mund të largohen nga rajoni i tyre ose të mblidhen në rrugë në mbrëmje.

Në Gjermani, më shumë se 7 milionë persona të vaksinuar tani po përfitojnë nga zbutja e rregullave të rrepta shëndetësore.

Në Milano, në veri të Italisë, teatri i famshëm La Scala u rihap për publikun të hënën në mbrëmje.

Ishulli mesdhetar i Qipros hapi sërish kufijtë e tij për turistët e vaksinuar nga 65 vende, ndërsa në Greqi të gjitha shkollat ​​u hapën pas gjashtë muajsh mbyllje.

Irlanda, gjithashtu, mund të marrë frymë: pas muajsh të gjatë izolimi, lejohen udhëtimet brenda vendit dhe bizneset jothelbësore mund të rihapen./ATSH