Papa Françesku: Po ndjek me një shqetësim të veçantë zhvillimet në Jeruzalem

0
39

Kreu i Vatikanit, Papa Françesku ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me tensionet në rritje pas shkeljeve nga policia izraelite ndaj palestinezëve që jetojnë në Jeruzalem.

Pas lutjes tradicionale në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa foli për zhvillimet që ndodhën në Jeruzalem.

“Po ndjek me një shqetësim të veçantë zhvillimet e përjetuara në Jeruzalem”, deklaroi Papa i cili shtoi se lutet që Jeruzalem të jetë një vend takimi ku nuk është e pranishme dhuna.

“I ftoj të gjithë që të kërkojnë zgjidhje të përbashkët ku do të mbizotërojë vëllazëria dhe të respektohet identiteti multifetar dhe multikulturor i qytetit të shenjtë. Dhuna prodhon vetëm dhunë dhe unë i them mjaft tashmë konflikteve”, shtoi papa Françesku.

Policia izraelite mbrëmjen e të premtes më 7 maj ndërhyri me plumba plastikë dhe bomba zhurmuese ndaj besimtarëve në xhaminë Al-Aksa gjatë namazit të teravive.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se 205 palestinezë u plagosën për shkak të ndërhyrjes së policisë izraelite.

Në ndërhyrjen e policisë izraelite ndaj palestinezëve dje në Jeruzalem u plagosën 90 persona. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se në mesin e të plagosurve ka edhe fëmijë dhe një foshnje 1 vjeçare./ATSH