KGJK reagon ndaj deklaratave të Haxhiut: Ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit

0
59

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka reaguar ndaj deklaratave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila të enjten në një diskutim te “FOL Hapur”, ka thënë se ka pazare brenda KGJK-së.

“Janë futur në pazare për pozicionet e ardhshme, qoftë në këshillat përkatës, qoftë në Prokurorinë e Shtetit, sepse tash po fliten disa emra se kush do të jetë kryeprokuror i shtetit dhe si të bëhen pazare që të fitojë dikush në krye të Prokurorisë së Shtetit”, kishte thënë Haxhiu.

KGJK në një deklaratë për media ka shprehur pakënaqësi lidhur me këtë duke thënë se deklarimet e Haxhiut janë të pabazuara dhe e dëmtojnë rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe se gjithashtu bien ndesh me ndarjen e pushteteve, e që këto deklarata konsiderohen ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit, njofton Klan Kosova.

“Bazuar në Kushtetutë e Ligj sistemi gjyqësor është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksionit të tij dhe gëzon pavarësi organizative, administrative e financiare për realizimin e detyrave të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj, prandaj respektimi i pavarësisë dhe punës së gjyqësorit është obligim për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”.

“Zgjedhja në cilën do pozitë brenda sistemit gjyqësor nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, bëhet në mënyrë transparente dhe atë bazuar në Kushtetutë dhe ligji, në pajtim me parimet e meritës, mundësitë e barabarta, barazinë gjinore, mosdiskriminimin dhe përfaqësimin e barabartë nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë e vendorë si dhe standardeve më të larta profesionale”.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të angazhohet për një sistem gjyqësor të pavarur, transparent dhe të paanshëm dhe se kërkon nga të gjithë të përmbahen nga deklaratat e tilla, por të angazhohemi që të punojmë bashkërisht me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në vendin tonë.