Kuvendi i Kosovës ndan 11 milionë euro për t’ua paguar rrymën serbëve të veriut

0
142

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me kërkesën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në katër komunat (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq) e banuara më shumicë serbe në veri të Kosovës. Kompensimet do bëhen për gjashtë muajt e ardhshëm.

Ky rekomandim ka kaluar me 61 vota për të deputetëve të Kuvendi të Kosovës.

Ditë më parë, KOSTT-i ka kërkuar nga Qeveria 11 milionë euro, për të paguar këto humbje. Banorët që jetojnë në katër e komunat në veri të Kosovës, që nga përfundimi i luftës, më 1999, nuk i kanë paguar faturat e energjisë edhe pse janë furnizuar nga Kosova. Gjatë një viti, ata shpenzojnë rreth 12 milionë euro.

Ministrja e Ekonomisë në qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli, në seancën e Kuvendit, ka thënë se në fund të gjashtë muajve do të mundohen të kenë një zgjidhje afatgjate të qëndrueshme.

“Qeveria e Kosovës e ka marrë seriozisht zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë ajo.

Në ndërkohë, nënkryetari i partisë opozitare PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media ka kritikuar partitë në pushtet për votimin e vendimit që pagesa prej 11 milionë eurosh për shpenzimet e rrymës nga serbët e veriut, të kryhet me paratë e buxhetit të Kosovës.

Hamza ka thënë se ky veprim nuk ka bazë ligjore, sepse Kuvendi nuk ka të drejtë që mbi bazën e legjislacionit në fuqi, të ndërhyjë në menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje.

“Kjo është në kundërshtim me ligjin, nuk ka bazë ligjore për shkak se KOSTT-i është ndërmarrje publike dhe 100 për qind pronë e Republikës së Kosovës, ku aksionari i ushtron të drejtat e veta përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo është shkelje edhe e qeverisjes korporative, sepse kjo ndërmarrje e ka bordin dhe Kuvendi nuk ka drejtë mbi bazën e legjislacionit në fuqi, të ndërhyjë në menaxhimin dhe në afarizmin e kësaj ndërmarrjeje”, ka thënë ai.

Hamza ka theksuar se ky veprim i partive politike në pushtet, për të përkrahur një kërkesë që të shpenzohen 11 milionë euro për energjinë e shpenzuar në katër komunat veriore, dëmton qytetarët e Kosovës, që janë taksapagues të shtetit.

Sipas KOSTT-it, që nga viti 2017 e deri në fund të vitit të kaluar, 40 milionë euro vlerësohet vlera e energjisë se shpenzuar në atë pjesë të Kosovës.