Shitja e automjeteve elektrike rekord global

0
138

Shitjet globale të automjeteve elektrike u rritën ndër vite me një rekord prej 41% në tre milionë vitin e kaluar ndërsa shpenzimet e konsumatorit shënuan një normë rritjeje prej 50% në 120 miliardë dollarë, thuhet në raportin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA).

Rritja rekord e shitjeve të automjeteve elektrike erdhi përkundër krizës së COVID-19 gjatë së cilës industria globale e automjeteve pësoi një goditje të madhe duke u tkurrur me 16% vitin e kaluar krahasuar me vitin 2019, theksohet në raportin e IEA-së “Parashikimi Global i Automjeteve Elektrike 2021”.

Më tej thuhet se shitjet e automjeteve elektrike paraqesin 4,6% të shitjeve totale globale të automjeteve vitin e kaluar.

Me rritjen e vitit të kaluar, numri i automjeteve elektrike në rrugë në të gjithë botën arriti në mbi 10 milionë, me shtimin e afërsisht 1 milion furgonëve elektrikë, kamionëve të rëndë dhe autobusëve.

Flota globale e automjeteve elektrike (EV) në vitin 2020 konsumoi mbi 80 terawat-orë energji elektrike, që korrespondon me kërkesën aktuale të energjisë elektrike të Belgjikës. Kërkesa për energji elektrike nga automjetet elektrike përbënte vetëm rreth 1 për qind të konsumit total aktual të energjisë elektrike në botë, sipas IEA-së.

Europa, për herë të parë vitin e kaluar, tejkaloi Kinën duke regjistruar 1,4 milion automjete në bazë vjetore dhe duke u bërë qendra e tregut global të automjeteve elektrike. Ndërsa regjistrimet e automjeteve elektrike në Evropë u dyfishuan vitin e kaluar, ato në Kinë u rritën me 9% në 1,2 milionë.

Këto shifra janë shumë më të larta krahasuar me SHBA-në, e cila regjistroi vetëm 295 mijë automjete elektrike në vitin 2020.

Kina vazhdon të kryesojë për nga automjetet elektrike, numri i të cilave arriti në 4,5 milionë vitin e kaluar, ndërsa numri i automjeteve elektrike të Europës arriti në 3,2 milionë në fund të vitit 2020.

Fatih Birol, drejtori ekzekutiv i IEA-së, theksoi në raport se automjetet elektrike kanë një rol të domosdoshëm në arritjen e synimit për zero emetime në të gjithë botën dhe u kërkoi qeverive të përqendrohen në zgjerimin e infrastrukturës së automjeteve elektrike./ATSH